TIRANË- Partia Demokratike ka dalë sot me një pretendim të ri sa i takon denoncimit të tyre për manipulim të procesit të votimit më 11 maj përmes fenomenit të trenit bullgar. Edhe përse këto pretendime u rrëzuan, PD thotë përmes zëdhënëses së Antikorrupsionit, Genta Vangjeli se Policia e Shtetit ka nisur një fushatë hakmarrëse ndaj policëve që kanë referuar materialet ne Prokurorinë e Elbasanit, e cila në një përgjigje kthyer PD-së më 30 maj, deklaroi se kjo çështje është në fazë verifikimi.
Përmes një deklarate nga selia blu, PD pretendon se “është nisur procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve ndaj shefit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Elbasanit, Kliton Zhari; Është pezulluar nga detyra nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi; Procedim disiplinor dhe transferim për shefin e krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani”.
“Pasi Policia e Elbasanit referoi çështjen në Prokurori dhe kjo e fundit vijoi procedurat për ndjekjen penale të rastit, strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në funksion të një fushate hakmarrjeje politike. Nën urdhrat politikë të Edi Ramës dhe me drejtimin e Ilir Prodës në Policinë e Shtetit, është ndërmarrë një seri masash disiplinore dhe ndëshkuese ndaj efektivëve që guxuan të veprojnë në përputhje me ligjin.
Konkretisht sipas informacionit të sjellë nga deputeti i zgjedhur, z.Blendi Himçi: Është nisur procedim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve ndaj shefit të krimit ekonomik në Drejtorinë e Elbasanit, Kliton Zhari; Është pezulluar nga detyra nëndrejtori i Policisë së Qarkut Elbasan, Sadik Kateshi; Procedim disiplinor dhe transferim për shefin e krimeve të Komisariatit të Peqinit, Denis Sinani.
Këto masa përbëjnë një akt të pastër hakmarrjeje politike ndaj efektivëve që refuzuan të heshtin përballë manipulimit të zgjedhjeve dhe që ushtruan detyrën e tyre me ndershmëri dhe profesionalizëm.
E nga ana tjetër emra si Krenar Guçe, promovohen me poste si shpërblim për shërbimin në funksion të farsës zgjedhore zhvilluar në 11 Maj. Partia Demokratike dënon me forcë këtë sjellje arbitrare dhe paralajmëron se të gjitha rastet e abuzimit me pushtetin do të dokumentohen dhe do të ndëshkohen sipas ligjit”, tha Vangjeli.
Pretendimet e Berishës për trenin bullgar në Peqin u rrëzuan edhe nga Policia, por edhe nga KQZ. Kjo e fundit vetëm më 30 maj konfirmoi se asnjë fletë votimi nuk mungon nga materialet e Peqinit.
PD pretendoi më 22 maj se fletët e votimit të gjetura në lokalin në fshatin Pekisht të Peqinit, në pronësi të kryeplakut Dervish Beqiri, ishin përdorur për manipulimin e votave përmes Trenit Bullgar. Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Shqiptarja.com përmes një investigimi zbuloi se fletët e votimit në Peqin ishin thjesht "faksimile" të KQZ për trajnime dhe pa vula. Nga këqyrja rezultoi se këto fletë nuk kishin as vulën e KQZ-së dhe as firma. Por PD pretendoi që të bënte edhe një ekspertim privat, duke dërguar shkresa shtesë. KQZ dhe Policia kanë rrëzuar tashmë të dyja pretendimet e opozitës për “trenin bullgar” me procesin dhe fletët e votimit.
Vetë kryeplaku i fshatit Pekisht konfirmoi për Report Tv fletët e votimit ishin thjesht faksimile për të edukuar qytetarët.
Komente
