SPAK ka përgënjeshtruar publikisht Belind Këlliçin pas akuzave të tij se Policia e Shtetit nuk ka zbatuar urdhrat e SPAK për kontroll në biznesin e Suel Çelës. Në një përgjigje për Euronews Albania, SPAK i hodhi poshtë këto pretendimet të përfaqësuesit të PD-së, Belind Këlliçi dhe u shpreh se ka pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit, si dhe të Drejtorisë së Policisë Vendore të Elbasanit.
Kërkesa për informacion drejtuar SPAK dhe BKH
SPAK dhe BKH kanë kryer kontrolle sot në qytetin e Elbasanit. Në disa media dhe subjekte politike është pretenduar se Policia e Shtetit ka refuzuar të zbatojë urdhrat e SPAK-ut.
A keni një koment lidhur me këtë?
A ka bashkëpunuar Policia me SPAK dhe BKH?
Sa kontrolle janë kryer?
Sa forca policie ka kërkuar SPAK?
Nëse keni kërkuar ndihmën dhe bashkëpunimin e Policisë, a ka qenë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, apo Policisë Lokale të Qarkut Elbasan?
Përgjigja e SPAK-ut:
Në përgjigje të pyetjes suaj:
Sot, më datë 10 Prill 2025, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kryer disa veprime hetimore në qytetin e Elbasanit, për të cilat ka pasur bashkëpunimin dhe mbështetjen e plotë të Policisë së Shtetit dhe të Drejtorisë së Policisë Vendore të Elbasanit.
Akuzat e Këlliçit
Belind Këlliçi në një deklaratë nga selia blu akuzoi se Policia e Shtetit nuk kishte zbatuar urdhrin e Prokurorisë së Posaçme për të bërë kontrolle në tregun e Elbasanit.
Deklarata e plotë e Këlliçit
Sot policia e Prodës nuk ka zbatuar detyrën si institucion i shtetit, por urdhrin e kreut të narko-qeverisë, Edi Rama. Narko-drejtori i policisë ka refuzuar të zbatojë një urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun e Elbasanit, bazën e aktiviteteve të paligjshme të bandës kryesore të Ramës dhe PS në rajon, grupit të Suel Çelës. Ky është një veprim jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi e dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar.
Rama e shtyn dhe e frymëzon SPAK kur ka nevojë, dhe i vihet kundra, e poshtëron kur i prek interesat. Ky është standardi i tij me drejtësinë dhe Europën.
Më shumë se kaq, kjo është përpjekje e hapur e Edi Ramës që, me anë të bandave të kontrollojë e vjedhë edhe këto zgjedhje. Partia Demokratike u bën thirrje aleatëve ndërkombëtarë të reagojnë për këtë faqe të errët ne librin e zi të rekordeve të Ramës dhe qeverisë së tij. Rama që ka banditët në krah, ka popullin kundër.
Operacioni i SPAK
Një urdhër i prokurorëve Altin Dumani dhe Vladimir Mara, të cilët hetojnë organizatën kriminale të Suel Çelës, çoi në kontrollin e 4 banesave dhe një zyre në Elbasan. Kontrollet janë ushtruar ndaj 2 biznesmenëve dhe drejtorit të Ujësjellësit në qytet. Operacioni u shfrytëzua politikisht nga Belind Këlliçi që akuzoi policinë se nuk zbatoi urdhrat, por u përgënjeshtrua nga SPAK dhe vetë uniformat blu.
Komente

aman dhe ky biznesmeni kellici pa nje dite pune na shet tangerllek, do me u faktorizu me zorr. Ne ne kombinat sdum ta shofim me aq mashtrus dhe paftyre asht. Turp per berish qe mban kesisoj deputeti qe nuk perfaqeson asgje nga ne votuesit
Përgjigju