TIRANË- Apeli i Posaçëm ka konfirmuar pafajësinë për ish-kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kaprin dhe 5 ish-vartësit e tij, të cilët akuzoheshin nga SPAK për abuzimin me një tender për drutë.
SPAK kishte ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e GJKKO që i shpalli të pafajshëm, por trupa gjykuese Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), lanë në fuqi vendimin për pafajësi.
SPAK akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.
Mirëpo, me një vendim të marrë më 4 korrik 2023, nga GJKKO, Kapri u lirua nga akuzat “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorim detyre”. Po u shpallën të pafajshëm edhe 5 ish-vartësit e tij, Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec.
Kapri dhe ish vartësit sipas SPAK, jo vetëm abuzuan me një tender por në 28 qershor 2019 në tre shkolla dhe një kopsht janë kapur në flagrancë nga policia duke mbyllur me çelës tre shkolla të miratuara si qendra votimi prej KQZ-së.
Njoftimi i Apelit të GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Florjan Kalaja (anëtar), më datë 19.09.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 4/60 akti, datë 09.11.2023 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
“1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduart Kapri për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Eduart Kapri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Avdulla Canon për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga nenet 258 dhe 25 të Kodit Penal.
3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Nexhmi Torro për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.
4. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurës Enkeleida Kllomollari për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 dhe 25 të Kodit Penal.
5. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Safet Blaceri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.
6. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Gurali Blaceri për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 dhe 25 të Kodit Penal.
7. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit paraprak, seancës paraprake dhe gjatë gjykimit në themel, në bazë të neneve 393 të Kodit të Procedurës Penale, i ngarkohen palëve sikurse i kanë kryer.
8. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
- Lënien në fuqi të vendimit nr. 44, datë 04.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.