Eduart Kapri

Akuzohej për abuzim me tenderin e druve, GJKKO shpall të pafajshëm ish-kryebashkiakun e Pogradecit, Eduart Kapri

4 Korrik 2023, 16:47| Përditesimi: 4 Korrik 2023, 17:06

  • Share

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-kryebashkiakun demokrat të Pogradecit, Eduart Kaprin. Ish-kryebashkiaku akuzohej nga SPAK për abuzim me tenderin për blerjen e druve të zjarrit me vlerë 9.2 mln lekë në vitin 2017, kur Kapri drejtonte Bashkinë e Pogradecit.

SPAK kishte mbyllur hetimet për këtë dosje dhe akuzonte Kaprin se në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Enkeleida Kllomollari, Nexhmi Torro dhe Avdulla Cano abuzuan me tenderin me vlerë 9.2 milion lekë për blerje dru zjarri në vitin 2017, duke favorizuar një prej kompanive që garonte.

Mirëpo, me një vendim të marrë sot (4 korrik 2023), nga GJKKO, Kapri u lirua nga akuzat “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në bashkëpunim parashikuar nga dhe “Shpërdorim detyre”. Po ashtu janë shpallur të pafajshëm edhe 5 ish-vartësit e tij, Avdulla Canon, ish-Zv.Kryetar i Bashkisë Pogradec, Enkeleida Kllomollari, ish-Dr. e Qendrës Arsimore në Pogradec, Nexhmi Torrën, ish-koordinator i Nj. Adm. pranë Bashkisë Pogradec, Gurali Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec dhe Safet Blaceri, ish-punëtor mirëmbajtës në Dr. Arsimore Pogradec.

Ndërkohë, Kapri është ende nën akuzë në lidhje me tentativën për të penguar zgjedhjet lokale në 30 qershor 2019. Sipas SPAK, nga hetimet rezultoi se Kapri, së bashku me dy ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë së Pogradecit, Safet Blaceri dhe Gurali Blaceri akuzohen edhe për faktin se tentuan të pengonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor të 2019, duke i vënë drynin tre shkollave dhe një kopshti, që ishin përcaktuar si qendra votimi nga KQZ.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?