Ish kryeministri i Çekisë, Andrej Babis

Akuzohej për vjedhjen e fondeve të Bashkimit Europian, gjykata shpall të pafajshëm ish kryeministrin e Çekisë

9 Janar 2023, 22:44| Përditesimi: 9 Janar 2023, 22:53

  • Share

Një gjykatë çeke shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Çekisë, Andrej Babis i cili akuzohej për akses të paligjshëm prej 2 milionë eurosh në fondet e Bashkimit Evropian 15 vjet më parë. Shfajësimi vjen përpara zgjedhjeve presidenciale këtë javë ku miliarderi populist është ndër favoritët për të fituar.

Babis, 68 vjeç, i cili përshëndeti vendimin e së hënës, po përballet gjithashtu me një hetim francez për mashtrim financiar për të cilin mediat franceze thonë se përfshin blerjen e pronave të tij në Francë. Ai i ka mohuar akuzat ndaj tij edhe për këtë rast.

Për çfarë akuzohej Babis?

Prokurorët kishin pretenduar se Babis fshehu pronësinë e tij të një kompanie në 2008 për të shfrytëzuar ilegalisht fondet e BE-së për të ndërtuar një qendër argëtimi dhe konferencash pranë kryeqytetit çek, Pragë.

Kompania, një fermë e njohur si Foleja e Lejlekut, mori subvencione të BE-së pasi pronësia e saj u transferua nga konglomerati Agrofert me rreth 250 kompani që zotëronte Babis tek anëtarët e familjes së tij. Subvencionet ishin të destinuara vetëm për bizneset e mesme dhe të vogla, që do të thotë se Agrofert nuk do të kishte të drejtë t'i merrte ato.

Agrofert, kompani që ka interesa në bujqësi, kimikate, përpunim ushqimor dhe media më vonë përsëri mori pronësinë e fermës dhe i ktheu subvencionet. Bizneset e Babis morën subvencione të mëdha të BE-së sipas politikës bujqësore të Bashkimit Europian si dhe fonde për projekte investimi.

Babis ishte ministër i financave në 2014-2017 dhe kryeministër në 2017-2021. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë dy herë në vitin 2019 për të kërkuar që Babis të largohej nga qeveria pas skandaleve të njëpasnjëshme, ku përfshihet edhe ai i interesit për subvencionet e BE-së.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?