SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e Kalosh Peposhit dhe shpalljen në kërkim të Gazment Peposhit, dy kushërinjtë të akuzuar për blerje votash në favor të PSD në Kukës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi nisi nga të dhënat e siguruara se një grup personash iu premtonin para disa personave në qarkun e Kukësit në këmbim të votës për PSD në zgjedhjet e 11 majit.
Arrestimi i 27-vjeçarit Kalosh Peposhi u bë një ditë para zgjedhjeve, të cilit iu sekuestruan edhe shuma monetare 205.500 lekë të reja dhe 525 euro, një aparat celular (Iphone) dhe një automjet (Mercedes Benz). Në kërkim vijon ende Gazment Peposhi, i cili rezulton edhe kryeplak i fshatit Lusen.
“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasit G.P. dhe K.P. janë përfshirë me veprime aktive, duke u premtuar dhe ofruar shuma monetare shtetasve votues në njësinë administrative Ujmisht, në fshatrat Lusen, Matranxhë, Bushtricë të rrethit Kukës, për të votuar në favor të subjektit politik, Partia Social Demokrate (PSD), subjekt pjesëmarrës në zgjedhjet për Kuvendin 2025, duke kryer elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftimin e SPAK.
SPAK thotë se vijon hetimet për të identifikuar dhe vënë para përgjegjësisë penale personat që morën paratë në këmbim të votës. Në një deklaratë publike, PSD mohoi që Gazmend Peposhi të jetë anëtar i saj duke pretenduar se ai mban funksionin e kryetarit të PS në njësinë administrative "Ujmisht".
Pak ditë para zgjedhjeve nën hetim për blerje votash u vu edhe kryetari i PSD në Malësi të Madhe Ardian Hysa. Report TV siguroi vendimin e gjyqtarit të GJKKO Erion Bani, i cili pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për ushtrim kontrolli personal të Hysës, biznesit të tij një servis makinash dhe mjetit të tij, një Benz Mercedes. Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në banesën e një qytetari nga Kopliku, Florenc Kalaj, i cili dyshohet se i ka kërkuar favor Ardian Hysës në këmbim të votave të tij dhe familjarëve të tij.
Komente
