Gjykata e Posaçme ka kaluar në gjykim dosjen ndaj Ardian Çapjes, Klajdi Dokolit, Etjen Canit dhe Jorgo Lekut për akuzën e vrasjes së dyfishtë në Elbasan në vitin 2012 Gentian e Nezir Beqiri, babë e bir.
Gjithashtu, gjykata ndau dosjen për dy të pandehurit e tjerë, Florenc Çapjan dhe Ervis Bardhin për shkak se janë në mungesë. Ata janë të arrestuar, Florenc Çapja në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka kërkuar azil, dhe Ervis Bardhi në Greqi.
Ardian Çapja u arrestua mëngjesin e 29 marsit, ndërsa vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.