Ardian Çapja

Kronikë

Akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim, SPAK komunikon zyrtarisht akuzat për Ardian Çapjen dhe 5 të tjerë

15 Qershor 2021, 13:28| Përditesimi: 15 Qershor 2021, 13:40

  • Share

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit i ka komunikuar së fundmi zyrtarisht akuzën Ardian Çapjas dhe 5 personave të tjerë, të akuzuar për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri, në Elbasan, në vitin 2012. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta raporton se personave që i është komunikuar akuza janë Ardjan Çapja, Ervis Bardhi, Etjen Cani, Lorenc Skilja, Olsjan Leku, Klajdi Dokoli.

Ardian Çapja është vënë në pranga më 29 mars në Elbasan, ndërsa nipi i tij, Florenc Çapja ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka kërkuar azil sipas një informacioni që dha ekskluzivisht për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta, avokati i familjes Çapja, Neshat Fana.

Vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi. 

Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit? Ata u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si  autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?