Mjeku kardiokirurg i Sanatoriumit, Dervish Hasi, i cili akuzohet se mbajti për rreth 2 vjet një të mitur 16 vjeçe si gruan e tij të katërt, do të qëndrojë në burg pa afat nën akuzën e “trafikimit të të miturve” dhe “pornografisë”, duke rënë në këtë mënyrë vepra penale fillestare me të cilën u referua materiali në prokurori, ajo e “prostitucionit”.
Veprat penale janë në përputhje me provat që akuza ka mundur të administrojë, nisur nga komunikimet dhe videot e gjetura në celularin e Hasit. Prokuroria në ngarkim të tij nuk ka mundur të ngrejë akuzën e “marrëdhënieve seksuale me të mitur” pasi në kohën që janë njohur e mitura kishte kaluar pragun 14 vjeç që e kap kjo vepër penale. Në një seancë me dyer të mbyllura në Gjykatën Penale të Tiranës, 42-vjeçari iu referua të miturës sërish me termin “gruaja ime”, duke mohuar akuzat që rëndojnë në drejtim të tij.
‘Asnjëherë në jetën time nuk kam bërë ndonjëherë trafikim apo pornografi me gruan time. Nëse i kam bërë atëherë jam dakord që të qëndroj në burg.’- tha Hasi.
Përpara gjyqtares Marinela Osmani dhe prokurores Alma Felaj, Dervish Hasi pretendoi se më herët ka bërë kërkesë në gjykatë për autorizim për martesë me të miturën, por nuk i ishte dhënë. Sipas tij, ligji parashikon që pas moshës 16-vjeçare të kërkohet autorizim kur pretendohet për lidhje martese, e cila në raste të veçanta mund të kryhet duke analizuar rrethanat.
Megjithatë, habia në këtë rast qëndron pasi zyrtarisht Dervish Hasi është i martuar ligjërisht me një grua, me të cilën ka lidhur kurorë vite më parë dhe ka 3 fëmijë, ndërsa 2 gratë e tij të tjera nuk i ka me dokumente pasi nuk e lejon ligji, me të cilat ka edhe 4 fëmijë të tjerë, 7 në total. Tri gratë e tij nuk e ndihmuan aspak hetuesit për ngjarjen, ndërsa vetë vajza e mitur u tha se nuk e kishte detyruar Hasi, edhe pse dyshohet se ai e ka indoktrinuar. Prokuroria e Tiranës pritet të hetojë në vijim çdo lidhje të dibranit Hasi me rryma të devijuara fetare, në të cilat mund të ketë qenë pjesë dhe që rast si ky të jetë kthyer në fenomen.
“Asnjëherë s’kam bërë trafikim e pornografi me gruan time”.
Kështu ka thënë para gjykatës mjeku kardiokirurg i Sanatoriumit, Dervish Hasi, i cili akuzohet se mbajti për rreth 2 vjet një të mitur 16 vjeçe si gruan e tij të katërt.
Ndër të tjera në dëshminë e tij ka shtuar se i ka kërkuar gjykatës autorizim për të lidhur martesë me vajzën.
“I kërkova gjykatës autorizim për të lidhur martesë”, shtoi ai mëson Report Tv.