Akuzohet për atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja dhe për armë pa leje, lihet në burg Ramazan Rraja

21 Prill 2023, 09:48| Përditesimi: 21 Prill 2023, 11:36

  • Share

Gjykata e Posaçme ka caktuar vazhdimin e masës 'arrest me burg' të dhënë në mungesë për Ramazan Rrajën. Atij përveç akuzave të mëparshme për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, i është shtuar edhe akuza e armëmbajtjes pa leje.

Ramazan Rraja u arrestua pak ditë më parë në një lokal në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa ishte me pistoletë në brez dhe fishek në fole gati për qitje. 30-vjeçari, një njeri i njohur i botës së krimit, nip i deputetit të PS-së, Rrahman Rrajës, ishte shpallur në kërkim për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Rrumit të Shijakut.

Ramazan Rraja, sipas policisë që nga momenti i shpalljes në kërkim nuk është larguar në asnjë moment në Dubai, por fshihej në trekëndëshin “Durrës-Lezhë -Tiranë”.

Në momentin e arrestimit 30-vjeçari, shoqërohej edhe nga një njeri tjetër i botës së krimit, 39-vjeçari Louis Konomi alias Elton Llozhi, i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit për “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, të kryer në bashkëpunim.

Në 20 janar 2023 për atentatin ndaj Ndojës u arrestuan Genti Ndërjaku alias Akil Ndërjaku, Marsel Deçka, Endrit Sinani, Julian Pjetri dhe Bashkim Haxhija. Në 22 shkurt u arrestua në Abu Dhabi Amar Dritan Shkëmbit, në kërkim për atentatin janë edhe Julian Meçaj dhe Plaurent Dervishaj.

SPAK pretendon se Ramazan Rraja, bashkë me kushëririn e tij dhe persona të tjerë kanë organizuar atentatit ndaj prokurorit Arian Ndoja më 1 nëntor 2019. Në atentat mbeti i vrarë shoferi Andi Maloku, dhe u plagos Landi Muharremi “Rrumi i Shijakut” dhe ish-prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja. 

Ramazan Rraja është pyetur nga policia në muajin tetor të vitit të kaluar, edhe për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës, ku mes të vrarëve ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj. Ramazan Rraja ka qenë në kërkim policor për vrasjen e trefishtë të mbikalimit të Fushë-Krujës për t'u marrë në pyetje, por në atë kohë nuk është gjetur. Në muajin tetor, pasi është kthyer nga jashtë është paraqitur personalisht dhe më pas është lënë i lirë.

Kujtojmë se Rraja po ashtu, në 2021 u shpall në kërkim pasi hyri i maskuar e i armatosur në një lokal. Ramazan Rraja po ashtu më herët u arrestua në Belgjikë dhe Gjermani për drogë.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?