Politikë

Akuzohet për fshehje pasurie, GJKKO kthen për plotësim hetimesh dosjen e Asllan Dogjanit! Deputeti i PD: E iniciuar nga Rama

19 Maj, 11:50| Përditesimi: 19 Maj, 12:26

  • Share

GJKKO ka kthyer për plotësim hetimesh dosjen ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i cili akuzohet për mosdeklarim dhe fshehje pasurie. Pas pretendimeve që paraqitën mbrojtësi i Dogjanit dhe Prokuroria, gjykata i kërkoi kësaj të fundit që të kryejë veprime shtesë duke i lënë një muaj kohë.

Deputeti demokrat, pasi doli nga gjykata, vazhdoi akuzat duke thënë se i gjithë procesi është i iniciuar nga Rama. Përmendi gjithashtu edhe pretendimet për vjedhje zgjedhjesh, ndërsa shtoi se edhe pse nuk u zgjodh deputet, do të vazhdojë që të jetë në shërbim të atyre që e kanë votuar.

“Pavarësisht skemave që përdor, grupet kriminale ishin ballë përballë me ne. Administrata, grupet kriminale, paraja dhe intimidimi i qytetarëve ishte një vjedhje e pakontrolluar. Ramës i doli situata nga kontrolli. Nuk mbahet një pushtet me vota të vjedhura. Pavarësisht se nuk do të jem në parlament, jam deputeti i popullit dhe atyre njerëzve që më kanë votuar. Fatkeqësia më e madhe është që Rama ka kapur gjithçka dhe po kontrollon gjithçka. Është dëm i madh për shëqipërinë. Ka bërë marrëveshje të fshehta me ndërkombëtarët për të sjellë në Shqipëri...Sot është bërë seancë normale për detyrat e prokurorisë, i tregoi akuzës se çfarë veprimesh. Gjykata tha do të kryesh edhe këtë detyra të tjera dhe do të vish pas një muaji. Kjo çështje del qartë se është iniciuar dhe drejtuar nga Rama. Nuk jam këtu se kam vjedhur e korrupsion, por po fole, edhe me qenë Rama në pushtet, është krim.”

I pyetur për përgjegjësinë që duhet të mbajë Sali Berisha për humbjen e thellë në zgjedhje, Dogjani u shmang duke thënë se përgjegjësi i vetëm është Edi Rama. Sipas tij, nuk ka fitues me vota të vjedhura.

“Do të mbajë përgjegjësi Rama që ka vjedhur votat deri në 1. Fitues me vota të vjedhura. Iu bëj thirrje qytetarëve që të kërkojnë...Unë kam parë përballë, është dëm për qytetarët e Shqipërisë. Ky njeri nuk e mban pushtetin me vota të vjedhura. Unë do të jem zëri i tyre, unë nuk kam, nevojë për xhaketën e parlamentit. Pavarësisht dhunës e presioneve. Kur më bëhet presion jam pak më i fuqishëm”, u shpreh Dogjani.

Dogjani akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin ai thotë se e ka e fituar si rezultat i këshillimit juridik. Por, sipas SPAK, Dogjani e bleu apartamentin rreth 126 mijë euro, vlerë të cilën e pagoi cash.

Deputeti demokrat është shprehur më herët se kallëzimi ndaj tij është bërë nga ndërtuesi Ilrijan Çelaj, të cilin ai e quan 'zaptues' pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.

Xh.D/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çfarë prisni nga qeveria Rama 4 pas zgjedhjeve të 11 majit?