Tiranë- Në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore për demokratin Asllan Dogjanin është shtyrë për në datën 23 korrik.
Gjatë një prononcimi për mediat Dogjani tha se seanca vazhdon rregullisht dhe do të paraqesë prova të reja.
Ndërkohë Dogjani foli edhe për aksionin e ndërmarrë nga qeveria për lirimin e hapësirave publike.
“Unë shfrytëzoj këtë takim me ju (gazetarët) për të denoncuar sjelljet e një diktatori, të Edi Ramës. Unë do ta përgëzoja për aksionin e lirimin e hapësirave publike nëse do të ishte e vërtetë, por në fakt ky është një aksion për t'u hakmarrë ndaj kundërshtaërve dhe popullit që nuk e votuan. Ai merret me lirimin e hapësirave publike në Tiranë, ndërkohë në Theth vazhdon të prishë (objektet) se në Shkodër humbi. Shqipëria është në rrezik, kjo është hakmarrje politike", tha Dogjani.
Dogjani akuzohet nga SPAK për “refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehje ose deklarim i rremë i pasurisë” lidhur me një apartament rreth 100 metër katrorë, për të cilin ai thotë se e ka e fituar si rezultat i këshillimit juridik. Por, sipas SPAK, Dogjani e bleu apartamentin rreth 126 mijë euro, vlerë të cilën e pagoi cash.
Deputeti demokrat është shprehur më herët se kallëzimi ndaj tij është bërë nga ndërtuesi Ilrijan Çelaj, të cilin ai e quan 'zaptues' pasi më parë e ka paditur për grabitjen e hapësirës publike para pallatit ku banon duke e kthyer në parkim me pagesë.
Komente
