Tiranë- Gjykata e e Posaçme e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesën për ndryshim të masës së sigurisë ndaj ish-zyrtares Etleva Kondi, e cila ndodhet prej një viti nën masën e re ‘arrest shtëpie’, për shpërdorim detyre.
Gjyqtarja Flora Hajredinaj, pasi ka shqyrtuar kërkesën e dorëzuar ditën e djeshme, mori sot (22 tetor) vendimin e rrëzimit dhe lënies në fuqi të masës së mëparshme, pasi nuk kishte argumente dhe prova, si e pabazuar në ligj.
Ajo u hetua më herët për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit, bashkë me të pandehurit e tjerë, përfshi ish-ministrin Lefter Koka dhe deputetin Alqi Bllako, por SPAK e ka marrë nën investigim dhe me vepër penale gjithashtu për inceneratorin e Tiranës.
Në dhjetor të vitit të kaluar ndaj saj u vendos masa “arrest shtëpie”, bashkë me 13 të dyshuarit e tjerë për këtë dosje të re. Kondi ka qenë anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, teksa ka mohuar akuzën.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme:
“Kërkuesja Etleva Kondi, me datë 21.10.2024, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me
objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit”. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, bazuar, në nenet 112, 228 e vijues, 260 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 593, datë 22.10.2024, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses Etleva Kondi, me nr. 593 regj., datë 21.10.2024, me objekt zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”, si një kërkesë e pabazuar në ligj dhe prova.
2. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”.