Akuzohet për mashtrim me kriptomonedhat, shtyhet për herë të katërt seanca për ekstradimin e Faruk Ozer! Avokati kërkon përjashtimin e gjyqtarit të çështjes

14 Nëntor 2022, 10:59| Përditesimi: 14 Nëntor 2022, 14:22

  • Share

ELBASAN-  Ka dështuar sërish seanca gjyqësore në Elbasan ndaj Faruk Ozer, bosit turk të kriptomonedhave arrestuar në gusht të këtij viti në jug të vendit. 28-vjecari kërkohet nga Turqia, ku akuzohet për mashtrimin e 400 mijë personave, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptomonedha në bursë.

Këtë të hënë avokati përsëriti kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit dhe në këto kushte gjyqtari i çështjes, Elis Dine e shtyu seancën, derisa të merret një vendim nga institucioni. 

Që prej shtatorit, kur u caktua masa “arrest me burg”, seancat gjyqësore janë shtyrë 4 herë. Duket se kjo është një taktikë e përdorur nga mbrojtja, e cila kërkon me ngulm që 28-vjeçari të mos ekstradohet me prentedimin se Faruk Ozerit i rrezikohet jeta në Turqi.

Avokati i tij mbrojtës ende nuk e ka depozituar kërkesën me shkrim për shkarkimin e gjyqtarit të çështjes ndërsa mësohet se sot është afati i fundit. Në këto kushte, gjyqtari aktual, Elis Dine nuk ka mundur të japë vendimin e tij ndërsa në seancën e sotme u dëgjuan vetëm pretendimet e avokatit mbrojtës të bosit të kriptomonedhave. Ai kërkon mos ekstradimin e Faruk Ozer në Turqi pasi ka rrezik për jetën.

Më herët kanë deklaruar se ndaj tij është zhvilluar një sulm politik. Avokati kërkon që gjykata e Elbasanit të mos nxitohet në ekstradimin e shtetasit tuk pasi sipas sistemit të drejtësisë turke, bosit të kriptomonedhave i rrezikohet më shumë se 400 vite burg.

Faruk Ozer u kap në 30 gusht të këtij viti pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për mashtrimin me kriptomonedhat ndaj disa shtetasve turk.

Si u kap në Shqipëri
SHISH dhe Forcat Operacionale ndoqën për 5 javë Faruk Ozerin dhe dy shqiptarët. Report TV mëson se jetesa e tij shtrihej me Elbasanit dhe resortit luksoz në Palasë. Për disa javë, Ozer ka shijuar plazhin e jugut në vend duke ndryshuar edhe pamje për të mos u njohur, me flokë të qethura dhe me mjekër.  Ozer është identifikuar nga gjurmët e gishtërinjve që linte teksa pushonte në ambientet e plazhit luksoz. Bashkë me 28-vjeçarin u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’i fshihej autoriteteve.

Në shoqërinë e tyre –thonë burimet policore - ishte dhe një person i tretë, i arrestuar, shqiptar nga Tirana, Briken Shkëmbi, 36-vjeç. Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu. 

Skema e mashtrimit
Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur. 

Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?