Në Gjykatën e Elbasanit u shty seanca për shtetasin rus, Mikhail Zorin i cili akuzohet në vendin tonë për spiunazh.
Seanca u shty, pasi prokurori i çështjes kërkoi kohë pёr t’u njohur me aktet e dosjes.
Zorin kërkon ndryshimin e masës së sigurimit, pasi sipas avokatit të tij, kanë kaluar afatet kohore të paraburgimit.
Gjykata pranoi kёrkesёn e Prokurorit dhe kërkoi që të paraqitet informacion mbi hetimet, pёr kёtё shkak caktoi datёn 14.04.2023 ora 13.00, pёr seancёn e rradhёs.
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe ukrainasi Fedir Alpatov, 25 vjeç mbahen në burg që prej datës 20 gusht, ditë kur dhe ndodhi incidenti në uzinën e Gramshit. Mikhail Zorin u konfiktua me 2 ushtarët shqiptar që e pikasën, Albi Bici dhe Ardian Xhaka, ndërsa Svetlana Timofoeva dhe ukrainasi po qëndronin në një makinë “Chevrolet camaro” me targa ukrainase AX 6200 IP.
Të tre u vunë në pranga dhe akuzohen për “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .
Si ndodhi ngjarja?
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre u arrestuan nga policia, ndërsa u hetuan edhe si spiunë të shërbimit sekret rus. Në makinën me targa ukrainase, që po përdorej prej tyre gjatë qëndrimit në Shqipëri u gjetën 2 dronë, 4 celularë, 1 laptop, 1 kamer, karta memorie, 3 pasaporta, 2 aparate fotografikë, harta, të cilat u sekuestruan nga policia.