POGRADEC- Në 2 makinat në pronësi të Eris Çekanit, 39-vjeç janë konstatuar që i janë vënë GPS pa dijeninë e tij. Report Tv mëson se këto makina kanë qenë të parkuara pranë Prokurorisë në Progradec dhe roja ka parë autorët teksa kanë qenë duke vendosur GPS. Roja ka dyshuar fillimisht se është eksploziv, por pas mbërritjes forcave xheniero nga Tirana u konstatua që nuk ishte lënë shpërthyese. Këto 2 makina, Çekani i lëshon me qira dhe mbetet mister motivi se përse iu është vendosur GPS.
“Mëngjesin e sotëm, në lagjen nr. 3, Pogradec, nën dy automjetet në pronësi të shtetasit E. Ç., 39 vjeç, banues në Pogradec (të cilat i lëshon me qira) janë konstatuar dy sende të dyshimta. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Policisë dhe nga verifikimet e kryera, rezultoi se nuk ishin lëndë plasëse, por ishin dy GPS. Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e rrethanave të rasit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshimet shtohen edhe më shumë për faktin se Eris Çekani nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare. Vetëm pak muaj më parë, 39-vjeçari është përfshirë në një sherr, ku të rinjtë, të cilët udhëtonin me dy makina, kanë ndjekur njëri tjetrin si nëpër filma deri në në aksin rrugor “Elbasan-Metalurgjik”. Teksa kanë mbërritur në këtë rrugë, ata kanë përplasur dy mjetet me të cilat udhëtonin. Në këtë moment ka ndërhyrë Policia dhe në pranga ra Eris Çekani dhe Gledis Dikellari 23-vjeç, të dy banues në Pogradec, e ndërsa 3 personat e tjerë janë larguar nga vend i ngjarjes me një makinë tjetër dhe janë në kërkim. Në bazë të dëshmisë që ai ka dhënë në polici bëhet fjalë se GPS është porositur pikërisht këto persona, megjithatë hetimet vijojnë.
Sipas burimeve nga policia personi që i ka vënë GPS ka qenë i maskuar dhe deri në këto momente nuk është identifikuar akoma. Nga ana e policisë, janë sekuestruar të gjitha kamerat në zonë, për të bërë të mundur identifikimin e personit që ka vendosur GPS, e për të zbardhur më tej rrethanat.