Një fluturim i Ryanair që udhëtonte nga Irlanda në Poloni u detyrua të bënte ulje emergjente në Gjermani për shkak të një kërcënimi të mundshëm të sigurisë.
Fluturimi FR1901 u nis nga Dublini pak para 17:00 me kohën lokale të Dielën dhe gjatë fluturimit kontrolli gjerman i trafikut ajror njoftoi ekuipazhin për një "kërcënim të mundshëm të sigurisë në bord", tha një zëdhënës i Ryanair për BBC.
Kapiteni u drejtua për në aeroportin më të afërt në Berlin, ku pasagjerët zbritën për kontrolle të sigurisë.
"Pasi u kontrolluan nga autoritetet gjermane, pasagjerët udhëtuan për në Krakov me një avion rezervë Ryanair pas një vonese për afërsisht shtatë orë," shtoi zëdhënësi i linjës ajrore.
"Ryanair u kërkon falje sinqerisht të gjithë pasagjerëve të prekur për këtë vonesë të pashmangshme, e cila ishte jashtë kontrollit të linjës ajrore."
Ndërkohë që gazeta gjermane Bild Zeitung raportoi se fluturimi bëri një ulje emergjente në Aeroportin e Brandenburgut në Berlin për shkak të një "kërcënimi bombe".
Duke cituar një zëdhënës të aeroportit, gazeta tha se të 160 udhëtarët duhej të dilnin nga aeroplani ndërsa policia gjermane kërkoi për një objekt të dyshimtë në bord.
Devijimi erdhi një javë pasi një tjetër fluturim i Ryanair nga Greqia në Lituani u detyrua të ndalonte në Bjellorusi nën përcjelljen ushtarake.
Autoritetet e Bjellorusisë thanë se ata kishin marrë një kërcënim për bombë në lidhje me avionin, por kur aeroplani u ul në Minsk, ku më pas gazetari disident bjellorus Roman Protasevich dhe e dashura e tij ruse Sofia Sapega u arrestuan.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar arrestimet dhe duke u bërë thirrje të gjitha linjave ajrore me bazë në BE të shmangin hapësirën ajrore Bjelloruse