Pallati i Versajës në Francë është evakuuar për shkak të një kërcënimi me bombë, raportoi AFP të martën, duke cituar burimet policore. Franca rriti nivelin e alarmit të terrorit pas sulmit në shkollë në qytetin verior të Arras të premten e kaluar nga një ekstremist i dyshuar islamik.
Informacioni përkatës është konfirmuar nga vetë Pallati me një postim në llogarinë e tij në Twitter, ku thuhet:
“Të nderuar vizitorë, për arsye sigurie, Pallati i Versajës po largon vizitorët dhe po mbyll dyert për sot. Faleminderit për mirëkuptimin”.
Sipas burimeve policore, në vendngjarje ka mbërritur një ekip për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, raporton AssociatedPress.
Kërcënimet për bomba janë rritur që nga fillimi i vitit shkollor në Francë, me 168 alarme në shkolla që nga fillimi i shtatorit, sipas ministrit të Arsimit Kombëtar Gabriel Attal.
Pallati si dhe Muzeu i Luvrit në Paris u evakuuan gjithashtu nga vizitorët dhe stafi të shtunën pas kërcënimeve për bombë.
Pallati i Versajës ishte shtëpia e mbretit Louis XVI para prerjes së kokës së tij gjatë Revolucionit Francez. Do të jetë një nga vendet ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike të Parisit vitin e ardhshëm, ku do të organizohet kalërimi.