Foto ilustruese

Shëndeti

ALARMI/ Abortet në moshën 17 -vjeçare më të lartat në Shqipëri! Ekspertët shpjegojnë pse

31 Tetor 2021, 14:45| Përditesimi: 31 Tetor 2021, 14:48

  • Share

Aborti është një moment i vështirë si nga ana psikologjike ashtu edhe fizike. Kjo gjendje është dhe me e vështirë në momentet kur mosha e nënës është tepër e re.
Në raportin vjetor burra-gra thuhet se abortet në moshën e adoleshencës janë analizuar veçmas dhe pjesa më e madhe e aborteve është kryer në moshën 17 vjeçare, 104 aborte për 1000 lindje të gjalla.
Sipas gjinekologes Moza Keta, të gjitha abortet janë të dëmshme, por më të vështira janë ato në moshë të re.
Ajo i tha Gazetasi.al se abortet ndikojnë negativisht në riprodhim.
Ndërkaq abortet në moshë të re lidhen me disa faktorë.
Sociologia Marsi Simo shpjegon për Gazetasi.al se ky fenomen ndikon dhe lidhet fillimisht me adoleshencën e hershme, një dukuri sa biologjike aq edhe sociale.
"Është vënë re se dy dekadat e fundit adoleshenca nis në një moshë më të hershme. Sipas studimeve vajzat zakonisht fillojnë pubertetin midis moshës 8 dhe 13 vjeç dhe mesatarisht djemtë arrijnë pubertetin dy vjet më vonë se vajzat. Nisja e hershme e adoleshencës mund të shoqërohet me marrëdhënie seksuale të hershme. Duke qenë se po jetojmë në një shoqëri të hapur ku informacioni është i pandalshëm sidomos në zonat urbane, adoleshentët priren të nisin aktivietin seksual ende pa njohur veten", shpjegon Simo.

Në raport shkruhet se pjesa më e madhe e aborteve (31.1%) ndodh nga gratë që kanë edukim 9-vjeçar dhe të mesëm. Ndërkaq në tërsi grupmosha më e predispozuar e grave për abort është 20-34 vjeç.
Psikologja Entela Binjaku thotë për Gazetasi.al se kjo temë është mjaft e gjerë dhe kërkon një forcë përgjithësuese serioze, sepse çdo shifër ka pas një histori jete, ka një histori marrëdhënieje njerëzore.
SBinjaku shton se 17 vjeç është mosha kur shumë vajza e djem i afrohen moshës madhore, kur planet për të ardhmen nisin të ravijëzohen më qartë, por është edhe mosha kur energjia seksuale është në kanalizimin e vetë dhe kur jeta afektive nuk mund te anashkalohet.


"Abortet,  pra ndërprerja e shtatzanisë në një moshë të re mund të ndodhin si pasojë e një papërputhshmërie midis pjekurisë fizike dhe pjekurisë mendore. Kur aborti është pasoja, shkaku janë marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Kjo mund të ndodhë si rezultat i kulturës së ulët të të rinjve për përgjegjësinë që ka akti seksual i pambrojtur, sikundër mund të tregojë së dëshirojnë seksin por nuk njohin, nuk thellohen, ose injorojnë dhe neglizhojne përgjegjësitë që vijnë me të", shpjegon Binjaku.

Binjaku shton se kur janë 107 aborte nga vajza 17 vjecare, kjo tregon mungesa e edukatës seksuale është e lartë, niveli kulturor i vajzave dhe djemve nga ky ngjizet një embrion është i diskutueshëm.Sipas psikologes edhe pse  mjekët flasin shpesh për pasojat që ka në shëndetin e vajzës apo gruas ky proces, sërish ky aspekt nuk merret seriozisht. 
Ndërsa sociologia Simo i shpjegon Gazetasi.al se sipas një studimi nga "Sistemi i Mbikëqyrjes së Sjelljes së Rrezikut të të Rinjve" ku u anketuan rreth 130,000 nxënës të shkollave të mesme në 40 shtete, rezultoi se në nivel kombëtar, 38% e adoleshentëve thanë se kishin pasur marrëdhënie seksuale.
"Nga këto marrëdhënie të hershme, shpesh dhe të pambrojtura dhe pa informacion çojnë në shtatëzëni të padëshiruara. Në këtë mënyrë vajzat i drejtohen abortit si zgjidhje.
Megjithatë nuk mund të përjashtohen edhe rastet e abortit në këtë moshë të vogël edhe për shkak të shtatzënive të krijuara si pasojë e përdhunimeve apo incesteve,"shton Simo.
Të dhënat e raportit nga INSTAT tregojnë se numri i aborteve në total gjatë vitit 2020 ishte 4540, ndërkaq abortet spontane përbëjnë 80.8% të totalit. Një tjetër e dhënë shqetësuese është se raporti lindje-abort tregon se për 6.2 lindje ka ndodhur paralelisht një abort.

Binjaku shton se në shumë raste varfëria është përcaktuese për abortet.
"Vajza apo djem të varfër ose nga familje të varfëra që nuk kanë mundësinë të cojnë përpara një shtatzani  sepse nuk jane gati për të dhe nuk kanë as edhe mundësinë të marrin përsipër përgjegjësi të tilla. Por pranojne të nderpresin një shtatzëni sepse nuk kanë mundur ta parandalojnë atë," shprehet Binjaku.

Më tej psikologja shton se shpesh traumat pas një aborti nuk trajtohen, për shkak se ky proces kryhet në heshtje dhe pa u këshilluar me askënd dhe ato mund të vijnë e thellohen me kalimin e kohës dhe e gjitha kjo pasqyrohet edhe në marrëdhëniet me të tjerë./ Gazeta "SI" 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?