Alarmi i BE-së: Në disa vende europiane, situata Covid më e keqe se në mars

24 Shtator 2020, 13:36| Përditesimi: 24 Shtator 2020, 13:38

  • Share

Komisioni Europian ka lëshuar alarmin – Situata Covid në disa vende të BE-së është më e keqe se në muajin mars. Ne jemi shumë të shqetësuar, dhe nëse duam të shmangim një bllokim të ri të përgjithshëm, qeveritë duhet të marrin masa urgjente

Me këto fjalë ngriti shqetësimin prej emergjencës shëndetësore, komisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides

Qipriotja u shpreh se “disa vende mund të mendojnë se KE-ja po dërgon sinjale pesimiste, por ne i ftojmë urgjentisht qeveritë të zbatojnë masat e rekomanduara në muajin korrik nëse duan të shmangin mbylljet totale kombëtare. Alarmi nga Covid është i lartë”

Në korrik, Komisioni Europian deklaroi se nuk do të kishte kurrë më bllokime totale dhe shpalli disa masate për të arritur këtë qëllim. Por situata është bërë përsëri kritike në Kontinentin Europian.

"Në verë, lehtësimi i masave çoi në rritjen e shifrave të rasteve të reja të infeksionit. Pandemia ka përshpejtuar ritmet e përhapjes pasi në shumë vende ka relaksim në zbatimin e masave që tentojnë të frenojnë Covid” - shpjegoi Kyriakides

Brukseli gjithashtu ka përpiluar një listë të vendeve me rrezik të ulët, me rrezik të mesëm dhe me rrezik të lartë. Italia, së bashku me Gjermaninë, është ndër të parat, ato ku situata është ende nën kontroll. Në grupin me  trend "shqetësues" janë vende të tilla si Austria, Danimarka dhe Franca, ku rreziku në përgjithësi është i moderuar, por shumë i lartë për kategoritë më të prekshme nga sëmundja. Në fund, Spanja, Bullgaria, Rumania dhe Hungaria janë në grupin "me rrezik të lartë", ku normat e infeksionit janë shumë të larta ose me rritje të theksuar te grupmosha e trëtë dhe, rrjedhimisht janë rritur apo pritet të rriten rastet fatale

Në këto kushte, Komisioni Europian iu ka bërë thirrje qeverive europiane të vënë në praktikë listën e gjatë të masave të rekomanduara, përfshirë rritjen e numrit të testimeve, gjurmimin e infeksioneve, forcimin e Sistemit të Shëndetit Publik dhe qasje më të mirë në pajisjet mbrojtëse dhe ilaçet.

Gjithashtu Komisioni ka lëshuar edhe një mesazh për europianët në përgjithësi dhe të rinjtë në veçanti

"Distancimi social mbetet mënyra më e mirë për të shmangur infeksionet, mbetet e nevojshme të shmangni grumbullimet, të mbani maska ​​dhe të lani duart”.

Komisioni i BE ka kërkuar nga qeveritë të kryejnë fushata komunikimi me të rinjtë si target grup për t'i bërë ata të kuptojnë se nuk janë imunë, madje mund të sëmuren rëndë dhe se aktualisht ata janë mjeti kryesor i përhapjes së infeksionit, i cili më pas u kalon grupeve të tjera të popullatës, përfshirë ata të pambrojturit, si psh të moshuarit dhe të sëmurët. Gjithashtu objekt sulmi duhet të jetë edhe përhapja e lajmeve të rreme dhe mesazheve të gabuara, të cilat duhet të kundërshtohen nga qeveritë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?