Shëndeti

Alarmi i heshtur i trupit tonë | Mos i injoro 'zhurmat' në VESH - Shkaktarët mund të jenë seriozë!

23 Qershor, 15:19| Përditesimi: 23 Qershor, 15:22

  • Share

A ke ndjerë ndonjëherë një fishkëllimë apo tingull të çuditshëm në vesh pa ndonjë burim të jashtëm? Ky fenomen quhet tinitus, dhe mund të jetë më shumë se thjesht një bezdi. Kjo ndjesi mund të jetë e përkohshme ose dhe e përhershme, e lehtë por dhe shqetësuese, dhe nuk duhet neglizhuar. Në emisionin "Rreze Dielli" në Report Tv, specialisti i bimëve mjekësore Ylli Merja, tregon shkaqet më të zakonshme të zhurmës në vesh, nga infeksionet tek çrregulimet neurologjike, sëmundjet që mund të fshihen pas kësaj simptome si dhe trajtimet më të mira natyrale dhe mënyrat si ta lehtësojmë këtë problematikë në mënyrë të sigurtë. Edhe pse zhurmat në vesh nuk janë gjithmonë të dëmshme, ato mund të jenë tregues i një problematike serioze nëse vazhdojnë.

“Simptomat e zhurmës në vesh mund të jenë të ndryshme nga zhurmë tingujsh të lartë në fishkëllimë, trokitje apo zhurmë motorike. Zhurma mund të jetë në një ose dy veshë, mund të jetë dhe një ndjesi si humbje e dëgjimit”, thekson Merja në fillim të bisedës.

Shkaktarët e zhurmës në vesh janë nga më të ndryshmet, dhe sigurisht që nuk duhen neglizhuar:

- Dëmtime nga dëgjimi nga zhurmat e larta profesionale: hiperaktivitet, zhurma e makinerive, muzika

- Infeksione virale dhe bakteriale në vesh ose sinuset, shoqëruar shpesh me dhimbje, fishkëllimë, gumëzhitje

- Sëmundje të veshit të mesëm dhe të brendshëm si sëmundja Meniere që shoqërohet me marramendje dhe humbje dëgjimi

- Mosha e vjetër e pacientit

- Zhurmë nga dylli i veshit, dylli bllokon kanalin, shkakton presion dhe zhurmë

- Problemet me artikulacionin e nofullës, lidhja e nofullës me kockën pranë veshit mund të shkaktojë zhurmë

- Tension i lartë i gjakut, pulsimi i fortë i gjakut mund të shkaktojë zhurmë

- Shqetësime nervore, stres ose ankth

- Shfaqja e qafës cervikale, një çrregullim nervor që mund të shkaktojë zhurmë

- Medikamentet e ndryshme si holluesit e gjakut, aspirina, antibiotikët, kimioterapia etj, mbi 260 ilaçe janë raportuar si shkaktarë

- Tumoret beninje (neuromat akustike edhe pse të rralla, shkaktojnë zhurmë)

- Mosfunksionimi i tubit eustachian.

- Metale të rënda në gjak si mërkur, plumb

- Çrregullime neurologjike

- Mungesë e vitaminës B12

- Anemi ose mungesë hekuri

“Eshtë shumë e rëndësishme që ne të dëgjojmë dhe lexojmë çdo shenjë që trupi ynë na jep. Në rastin kur zhurma është e përqendruar në njërin vesh dhe nëse zgjat më shumë se një javë, ne duhet të shqetësohemi dhe duhet të bëjmë një kontroll me mjekun. Gjithashtu kur zhurma shoqërohet me humbje dëgjimi, marramendje, dhimbje koke, apo kur zhurma është pulsuese shoqëruar me ritmin e zemrës, është shqetësuese”, këshillon biofarmacisti Ylli Merja.

Duhet gjetur shkaku i vërtetë nga se vijnë zhurmat në vesh dhe më pas të niset kurimi. Gjithsesi trajtimet natyrale dhe ndryshimet në stilin e jetës shpesh ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.

- Vaji i basanit përmban hipericinë, hiperforinë, vitamina B1, B2, B6, C, A, të cilat luftojnë infeksionet dhe mund të ulin zhurmën në vesh

- Përzierjet hudhër, xhenxhefil, kafe e gjelbër, presh - ndihmojnë qarkullimin e gjakut, mund të ulin zhurmën. Me anë të një tamponi me këtë pëzierje lyejmë veshin nga brenda dhe jashtë

- Bimët si bar blete, livando, ginko biloba, kamomil, gjethe ulliri

- Vaj harmonia: pihet 2 herë në ditë 1 lugë gjelle. Hahet ushqim i pasur me yndyrë (mish, mëlçi, yndyrë peshku)

- Çaj harmonia pihet 2-3 herë në ditë me ujë të nxehtë, qetësues shumë i mirë e sistemit nervor

- Ekstrakte të hudhrës për infeksione virale (1-2 herë në ditë)

- Ekstrakte me vaj basani dhe hudhër

- Avull me bimët si rigon, eukalips, mente

Diagnostifikimi i problemit është hapi i parë i kurimit dhe përpos medikamenteve, shumë efikas është dhe gërshetimi natyral bimor, i cili ndihmon trupin në rigjenerim, fuqizim të sistemit imunitar dhe luftimin më shpejt të problematikave shëndetësore.

 

MC/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?