Një alarm për bombë në qendër të Shkupit ngjalli jo pak frikë e panik mbrëmjen e sotme, duke bërë që të evakuohen një pjesë e institucioneve si Teatri Kombëtar, Prokuroria Publike e Ministria e Punëve të Jashtme si dhe u bllokuan disa rrugë pas vendosjes së perimetrit të sigurisë.
Duket se alarmi ishte i rremë, teksa situata u rikthye në normalitet pas disa minutash, ndërsa Ministria e Brendshme i kërkoi qytetarëve që të mos panikosen pasi situata është nën kontroll.
Ministria e Punëve të Brendshme informoi se masat u ndërmorën pas një denoncimi për një sulm të mundshëm. Pas kontrolleve të imtësishme rezultoi se alarmi ishte i rremë, teksa Ministria thekson se po merren të gjitha masat për të gjetur personin që ka shpërndarë këtë informacion duke shkaktuar panik te qytetarët.