Luca Zaia guvernator i krahines se Veneto-s

Alba Malltezi: Luca Zaia, veneciani legist shembulli i politikanit të së ardhmes?

21 Nëntor 2022, 20:32| Përditesimi: 21 Nëntor 2022, 20:55

  • Share

Ndërkohë që “Lega Nord” e Salvinit dhe Umberto Boss-it sa vjen dhe tkurret, guvernatori i krahinës së pasur të Venetos, në verilindje të Italisë, Luca Zaia, i të njëjtës parti të djathtë, fiton përherë e më shumë mbështetje dhe simpati. Si mundet? Zaia është guvernator i kësaj krahine me kryeqendër të mrekullueshmen Venecia, që nga viti 2010, pra 12 vjet rresht e në vazhdim. Eshtë rasti tipik i një politikani që tregon se me karizmën, punën dhe simpatinë e tij mund ta mbajë timonin e një varke që mbush ujë derisa ta çojë atë në breg. Zaia përcjell tek bashkëqytetarët e tij optimizëm dhe qetësi, deri në atë pikës sa nuk kanë gjetur ende një më të mirë që ta zëvendësojë. Dhe në Itali nuk është aq e lehtë, sot italianët mund të të konsiderojnë një “mbret”, ndërsa nesër, gjen veten të varur në sheshin Loreto, apo i vdekur i arratisur në “Marakesh”.

Po cili është sekreti i Luca Zaia-s?

Në të vërtetë, që në titujt e librave të tij kuptohet se me ç’politikan kemi të bëjmë. “Të arsyetojmë”, ishte libri i publikuar gjatë pandemisë, ndërsa këto ditë po promovon “Pesimistët nuk kanë fat” për të kuptuar vetëm në sipërfaqe frymën që sjell si politikan dhe guvernator.

I ftuar në studio televizive, shumë i dashur për gazetarët në përgjithësi e për komikët në veçanti që shpeshherë e thumbojnë, Zaia shpaloset si modeli i politikanit të së tashmes, por edhe të së ardhmes. Atëherë si duhet të jetë ky politikan dhe si është Luca Zaia për zgjedhësit e tij?

E para, është njeri i punës. E gjithë krahina e Venetos shquhet për përkushtimin ndaj punës, për inovacionin, industritë e zhvilluara, artizanatin ekselent, bujqësinë e përparuar dhe vreshtarinë me prodhime verërash të kërkuara nga e gjithë bota. Dhe Luca Zaia e mishëron këtë cilësi.

E dyta, është njeri i fjalës. Premtimet thuhen, por edhe mbahen dhe kur nuk mbahen për arsye të jashtëzakonshme, kërkohet falje me përulësi. Luca Zaia di të kërkojë ndjesë.

E treta, është njeri i arsyes dhe logjikës; që do të thotë se nuk i flet goja, para fakteve dhe para mendjes. Asnjëherë nuk sulmon kundërshtarët me shpifje dhe të pavërteta.

E katërta, përcjell optimizëm dhe në kohë të vështira siç ishte Pandemia veçanërisht për Italinë, vështirësitë sot me luftën në Ukrainë dhe krizën e çmimeve, duke kërkuar zgjidhje dhe vetëm zgjidhje. Libri i fundit “Pesimistët nuk kanë fat”, është një përgjigje ndaj të gjithë atyre që vetëm qahen, shajnë dhe shohin vetëm një fat të zi.

Nëse një politikan shqiptar i mishëron sot këto veti, mund të sigurojë besimin e njerëzve dhe administrimin e vendit i qetë, pa u stresuar të mbledhë vota nga dhuna,  kriminaliteti, administrata, shitblerja, apo të tjera sajime pa kufi.

Luca Zaia guvernator i krahines se Veneto-s

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?