Nuk e di nëse do të vijnë më në gazetarinë shqiptare figura si Fatos Baxhaku. Eshtë e sigurtë se tani për tani nuk ka. Shpresojmë që mes shumë leksioneve që ai ka dhënë, në ndonjë të ri a të re, të ketë mbirë fara e mirë e tij. Ajo ishte fara e shëndetshme e qytetarisë, e njeriut fisnik, të edukuar, të ditur, të pazhurmtë, e sidomos, e shqiptarit që e donte vendin dhe njerëzit e tij.
Në rrugën e re me emrin “Fatos Baxhaku”, vendosur tashmë në kryeqytet, imagjinoj banorët, qytetarët që jetojnë e lëvizin nëpër të. Diçka do të ndryshojë, si me magji. E para gjë që do t’u ndodhë, është mirësjellja. Pastaj do të fillojnë ta dëgjojnë tjetrin me vëmendje, kushdo qoftë ai: Nuk ka rëndësi nëse është kamarieri në barin e lagjes, apo ministri që mund ta ketë vilën apo apartamentin më luksoz. Marrëdhënia njerëzore do të jetë e njëjtë. Në atë rrugë të moshuarit e fëmijët do ta kuptojnë se janë më të respektuar dhe më të dashur nga të gjithë. Sepse ky ishte Fatos Baxhaku në redaksinë tonë. Ishte kryeredaktori që nuk bënte dallim.
E kujtoj mirë veten time ndërsa në “Gazetën Shqiptare” të 1994-ës, po bëja të parin shkrim-provë për të vazhduar më pas rrugëtimin tim në gazetarinë e shkruar shqiptare. Fatos Baxhaku do ta kontrollonte punën e studentes që atëherë isha; plot me ëndrra të shkruaja në atë gazetë aq moderne dhe të veçantë. Një dorë në shpatull, një buzëqeshje dhe: E ke shkruar shumë mirë!
Punuam bashkë deri në 1997 dhe kohët ishin vërtetë të vështira. Pasioni për gazetari të pavarur dhe pozicionimet e punonjësve të shërbimeve sekrete para redaksisë, ndjekjet e përndjekjet sidomos për drejtuesit e atyre kohëve, ishin të frikshme. Të frikshme kur i kujtojmë tani, pasi me Fatosin dhe grupin e vogël të gazetarëve në redaksi, asnjëherë nuk ndjehej frika, asnjëherë nuk ngurronte askush të punonte edhe deri në të gdhirë. Tirana ishte bosh atëherë. Tirana kishte tepër plagë që i mbante hapur me lëngim.
Hera e fundit që punuam bashkë, ndërsa në 2 të natës përpiqeshim të gjenim rrugët e lira dhe pa kontrolle për të dorëzuar gazetën në shtypshkronjë, ishte pikërisht viti 1997. E imagjinojnë dot gazetarët sot që kryeredaktori dhe ekipi i tij të qëndronin bashkë deri në 2 apo 3 të natës për të bërë të mundur që e vërteta, të nesërmen të ishte në treg?
Me emrin e Fatos Baxhakut në këtë rrugë në Tiranë, me emrin e Andrea Stefanit në një shkollë, kryeqyteti ynë i bukur ka nisur të plotësojë një puzzle të qytetarisë, që gjatë tranzicionit të gjatë, u mendua se po e harrojmë. Fatos Baxhaku është aty, në rrugën e tij të na e kujtojë përditë.
Fatos Baxhaku, vec te tjerash, rridhte nga nje familje fisnike. I jati, i ndjeri Shaban Baxhaku, Profesori i Matematikes ne Shkencate Natyres, kujtohet nga breza te tere studentesh per zotnillekun dhe kompetencen shkencore. Njerez te rrale te shoqerise shqiptare!
PërgjigjuFatos Baxhaku ishte me te vertete njeri qytetar. Me behet qejfi qe nje rruge do te mbaje emrin e tij.
Përgjigju