Shkodra ne Lonely Planet 2023

Alba Malltezi: Shkodra e Sali Berishës, apo Shkodra e Lonely Planet?

23 Nëntor 2022, 09:32| Përditesimi: 23 Nëntor 2022, 09:47

  • Share

Sali Berisha ishte veshur chic në udhëtimin e tij gjatë përmbytjeve në Shkodër. Xhaketa e padepërtueshme nga uji (impermeabile) me jakën e kadiftë dhe astarin me motive tartan, ishte e denjë për një lord anglez në fundjavat e gjuetisë në fshatrat e lagësht e të gjelbërt britanikë. Sigurisht, stafi ishte kujdesur që vizita të zhvillohej në vende ku uji nuk kapërcente takën e këpucëve të ngrohta, si për shembull një pikë karburanti ku pak më parë kreu i bashkisë i tha se “ka pësuar disa dhjetra mijë euro - nuk dëgjohet qartë se sa - dëm” (sikur të ishte përmbytur Banka e Shqipërisë dhe jo një pikë furnizimi me naftë). Pavarësisht shijes që lë një vizitë në një pikë karburanti në vend të një vizite në familje, kjo është çështje stili, që tashmë e dimë sa dhe si e kanë. Lëre pastaj kur bëhet fjalë që vazhdohet të raportohet në hava pa asnjë seriozitet opozitarizmi, nën çadrën gjigande kuq e zi që i ofrohet me shpejtësi nga një badigard, sapo dy pika shiu ndjehen në horizont.

Pastaj vazhdon refreni i atyre që trishtohen sapo iu numërohen falsitetet e Berishës në çdo hap, edhe në një situatë të tmerrshme si ajo e njerëzve që përjetojnë ujin në shtëpi. “Fajin edhe këtu Berisha e ka?!”, thonë gati në lot.

Nuk mund të përjashtohet nga faji një njeri që herë në pushtet e herë në opozitë, mbtetet politikani më jetëgjatë në drejtimin e institucioneve në Shqipëri, e megjithatë, askush nuk mund ta akuzojë drejtëprdrejtë për përmbytjet në fjalë, përveç faktit se Berisha vazhdon të jetë korbi i zi mbi shpatullat e fatkeqësive në Shqipëri dhe sidomos, sot në opozitë, vrasësi i shpresës për alternativë, optimizëm, të ardhme të mbarë.

Po. Eshtë faji i Berishës që ata shqiptarë që sot nuk e duan apo janë lodhur nga Edi Rama, nuk dinë kë të zgjedhin për ndryshim në Shqipëri. Eshtë faji i Berishës, që ka mbërthyer me pangijësinë e tij për pushtet ekonomik dhe politik ëndrrën se pas Edi Ramës nuk mund të dalë ende në horizont një shqiptar e politikan më i mirë. Berisha qëndron si një re e zezë e plot shi e furtunë në këtë horizont.

E ndërkohë, si përvit, Lonely Planet, “bibla” e orientimit të turizmit botëror nxorri listën e 30 vendeve fituese si më interesantet për t’u vizituar gjatë vitit 2023. Lista është publikuar me 15 nëntor, disa ditë para përmbytjeve, si për ironi. Mes vendeve më intersante në Glob sygjerohet një udhëtim 4 ditor në Shkodër, nga Buna, në Valbonë e në Alpe me foto ilustruese të mrekullueshme që të gjithë e dimë se janë më tepër se një kartolinë. Sygjerimet fantastike të Stuart Butler mund t’i shikoni të gjithë në faqen e Lonely Planet për restorantet e muzeumet shkodrane, udhëtimin në Valbonë e në Alpe, janë të bukura në përshkrim e në foto ashtu siç janë në realitet, edhe pse mungon lezeti, humori, mikëpritja, buzëqeshja e shkodranëve dhe e malësorëve tanë që është përtej çdo reportazhi, sado i aftë të jetë gazetari që i përshkruan ata. Na pëlqen Shkodra dhe Veriu shqiptar i Lonely Planet, sepse të gjithë e dimë se e ardhmja është ajo.

Këtë shkrim dhe optimizën për Veriun tonë dhe Shkodrën, nga Sali Berisha dhe të ngjashmit e tij nuk do ta shihni kurrë.

a.m.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?