Bashkia e Tiranës

Opinion

Alban Daci: Kandidati i Opozitës për Tiranën!

29 Shtator, 17:48| Përditesimi: 29 Shtator, 17:51

  • Share

Përpara se PD të hap ankandin për të gjetur një kandidat për Bashkinë e Tiranës që do të jetë përballë Edi Ramës dhe PS, duhet të ketë një identikit se kush duhet të jetë dhe çfarë cilësish duhet të ketë!

Diskutimi për Tiranën, në fakt ashtu edhe për qytetet e tjera shpesh bëhet mbi kritere që sallonet e opinionit publik nuk duhet t’i artikulojnë.

Gjithmonë për Tiranën, flitet se kandidati duhet të jetë “tirons” dhe kjo përdoret sikur për të aluduar me paragjykim krahinor duke përjashtuar mundësinë se ai mund të jetë me origjinë veriore! Në fakt, historia e Tiranës, ashtu si e çdo kryeqytetit që nuk ka një histori të lashtë si qytet, është ndërtuar dhe e përberë nga të gjithë shqiptarët. Po ashtu edhe vetë simbolika e Tiranës është simbolika e gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.

Megjithatë, në këtë aludim, ka një të vërtetë, që të gjithë kryetarët e zgjedhur të Tiranës pas viteve ’90, nuk janë tironsë në kuptimin autokton, por janë të paktën brezi i dytë ose i tretë i lindur dhe i rritur në Tiranë.

A ka kuptim të flasim sot në realitetin e Tiranës për nja kandidat “tirons” siç duan të aludojnë sallonet e opinionit publik? Tirana ka ndryshuar shumë në këto vite tranzicioni, qoftë në kuptimin demografik dhe po ashtu edhe në kuptimin urbanistik. Kemi zona të tëra që përbëjnë njësitë administrative të Tiranës, që janë thuajse krejtësisht të reja, me popullsi intense dhe origjina e tyre ka pak lidhje historike me “Tironën”, përveç faktit, se kanë ardhur të vegjël në Tiranë dhe janë banorë të saj.

Në këndvështrimin e zgjedhësve, kam përshtypjen, se këta përbëjnë shumicën në numër dhe për pasojë, kushti se duhet të jetë “tirons”, jo vetëm që nuk është i pranueshëm, por as nuk paraqet realitetin demografik dhe urbanistik të Tiranës në 2025!

Tironsit nuk kanë pasur probleme me bashkëjetesën, sepse janë shquar për mikpritje. Po ashtu të ardhurit e kanë pasuruar në diversitet Tiranës duke e bërë të larmishme. Një ndër historitë më të jashtëzakonshme është padyshim bashkëjetesa e tironsve me dibranët dhe roli i këtyre të fundit në hsitorinë e qytetit të Tiranës është i njohur.

Identikiti i kandidatit të Opozitës nuk është duhet të jetë domosdoshmërish dhe ekskluzivisht prejardhje e tij si tirons. Përkundrazi, mendoj se për shkak të realiteti të ri demografik dhe urbanistik, duhet të ketë një ndryshim rrënjësor për qeverisjen e Tiranës, duke ofruar një kandidat që bën pjesë në komunitetin e të ardhurve në Tiranë, pas vitet ’90. Një kandidat i zgjedhur nga ky komuniteti do i jepte një dimension të ri qeverisjes së Tiranës duke sjellë eksperiencat dhe problematikat e periferisë.

Gjithashtu, kandidati nuk duhet të jetë domosdoshmërisht politik, sepse interesi i qytetarëve të Tiranës, nga pjesëmarrja në zgjedhje dëshmohet gjithnjë e më shumë se është i vogël. Qytetarët e Tiranës duke qenë mejdani kryesor i ngjarjeve më të rëndësishme politike në vend duket se i ka lodhur qytetarët duke shfaqur gjithnjë e më pak interes. Një figurë publike që ka një vizion të qartë për të ardhmen e Tiranës do të ishte kandidat  perfekt që do të ofronte një qasje interesante duke rritur interesin e qytetarëve dhe të atyre që janë të lodhur dhe indiferent ndaj politikës. Për sa kohë politika nuk frymëzon qytetarët, atëherë çelësi i suksesit do të ishte që ajo të përmbushte orekset dhe preferencat e tyre. Një kandidaturë që do të ishte pjesë e komunitetit të të ardhurve pas viteve ’90 do të shërbente si një zbutës për një harmonizim të paqshëm për qytetarët.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?