Nëse ka ndonjë popull që e njeh dhe e ka përjetuar mirë “Regjimin”, ky padyshim është populli shqiptar. Shqiptarët kanë jetuar në një ndër regjimet më të egra që ka njohur Europa e madje edhe Bota. Regjimi që ka pasur Shqipëria mund të krahasohet sot me Korenë e Veriut.
A kemi të bëjmë me Regjimin Rama? Nuk kemi të bëjmë aspak me regjim ashtu siç po e reklamon Opozita tek qytetarët. Pushteti i Ramës bën pjesë tek pushtetet e forta si karakteristikë e vendeve të Ballkanit dhe madje edhe e vetë Shqipërisë. Rama ka pushtet të fortë siç e ka pasur sa herë ka ardhur në pushtet Berisha dhe po ashtu edhe deri diku me doza më të larta liberalizimi edhe Nano.
Lidershipi politik shqiptar vjen nga ajo traditë sa kur qeverisin i marrin dhe i kontrollojnë të gjitha. Kjo nuk është një gjë e re as për Shqipërinë e tranzicionit. Opozita e përdor termin “Regjim” duke i dhënë diçka që nuk e ka Rama dhe duke u shtirur sikur nuk ka qenë asnjëherë vetë në pushtet.
Sjellja e kësaj Opozite ngjanë sikur të ishte një model politik i ri dhe që nuk ka lidhje me kulturën politike shqiptare të këtyre viteve të tranzicionit. Në fakt kjo Opozitë është vazhdimësi e të njëjtës kulturë dhe po ashtu është fizionomia e të njëjtës formë të qasjes ndaj pushtetit.
Opozita, në mënyrë të dëshpëruar për të justifikuar politikëbërjen e saj, dobësinë e saj si alternativë ndryshe me shpresën se shqiptarët do të ngrihen përdor termin “Regjim” ndaj Ramës. Por cili është mesazhi i vërtetë që mund të marrin qytetarët duke e konsideruar Opozita pushtetin e Ramës si Regjim? Ky mesazh mund të konceptohet nga qytetarët duke mos e pasur të largët memorien me regjimin e vërtete si një shenjë intimidimi dhe frike.
Pra, kur qytetarët ndoshta të pafuqishëm përballë pushtetit të fortë të Ramës dëgjojnë Opozitën që përdor termin “Regjim”, atëhërë ata thonë se “nuk kemi çfarë të bëjmë, sepse Rama nuk rrëzohet dhe është e pamundur të rrëzohet”!
Me dialektikën e saj surealiste Opozita, po e forcon Ramën më shumë sesa është përballë qytetarëve duke e konsideruar një lider të fortë.
Komente
