Një pjesë e Opozitës e pikërisht ajo institucionale që ka përfaqësimin më të madh në Kuvend bëri protestën e radhës që vazhdon ta quaj "mosbindje civile". Nuk ka asnjë rast në historinë botërore që një Opozitë e sidomos ajo institucionale të organizojë "mosbindje civile".
Siç e kam thënë edhe herë të tjera "mosbindja civile" organizohet në mënyrë spontane, kur të drejtat e liritë themelore të një pakice ose një kategorie dhunohen në mënyrë të vazhdueshme përmes një norme diskriminuese ose përmes politikave apo vendimeve që në perceptimin e tyre janë të padrejta duke favorizuar përjashtime apo diskriminime për shkak të përkatësisë.
"Mosbindjet civile" nuk kanë qëllim pushtetin dhe nuk janë as mekanizma për të arritur pushtetin, por janë gjithmonë kundër pushtetit dhe me aksionin e tyre duke korrigjuar një normë të padrejtë ose një politikë të gabuar tentojnë të rikthejë rendin social në binarët e shtetit të drejtësisë dhe demokracisë.
Një Opozitë kushdo qoftë e për më tepër ajo institucionale kur e përdor të ashtuquajturën "mosbindje civile" si një instrument për të arritur "qeveri teknike", duket qartë se ka qëllim final marrjen e pushtetit duke mundur përmes aksioneve të saj politike kundërshtarin që në kushtet normale do të duhej t'a mundte përmes numrave.
"Mosbindjet civile" janë pasojë e traumave sociale ose tronditjeve sociale si pasojë e normave të dukshme që dhunojnë të drejtat dhe liritë themelore të një grupimi social të realiteti demografik të vendit.
A ka pasur Shqipëria "mosbindje civile" nën pushtetin e Ramës? Po ka pasur dhe ato janë:
- Protestat masive për importimin e mbeturinave
- Protestat e studentëve
Këto ishin dy "mosbindje civile reale" që e tronditën dhe e rrezikuan pushtetin e Ramës. Ngjarja e 14 vjeçarit që humbi jetën është një ngjarje tjetër që ka krijuar një tronditje sociale dhe po rritë vetëdijen e qytetarëve për "mosbindje civile".
Rama dha dy sinjale të qarta reagimi duke dëshmuar se nga tronditjet sociale që nuk kanë qëllime politike e frikësojnë pushtetin e tij e mund të kthehen një problem serioz për të. Prandaj, si rrallë herë më parë, Rama dha disa sinjale serioze të shqetësimit të tij:
- Pas ngjarjes të 14 vjeçarit, si asnjëherë më parë doli përballë institucionit të Kryeministrisë duke mbajtur një fjalim shpjegues;
- Nga takimi me shqiptarët në Londër, Rama nuk e përmendi fari "mosbindjen civile" të Opozitës, por sulmojë drejtëpërdrejtë organizatorët që shkuan tek Ministria e Arsimit si reagim ndaj ngjarjes ku humbi jetën 14 vjeçari;
- Filloi menjëherë një turn konsultimesh për të mbyllur apo jo Snapchat apo Tik Tok.
Pra, me këto aksione konkrete Rama dëshmon qartë se nuk ka asnjë frikë apo problem politik nga "mosbindja civile" e Opozitës që nuk bind, por ka frikë nga mosbindjet reale të qytetarëve si pasojë e tronditjeve sociale.
Nëse Opozita institucionale është realisht e interesuar për të krijuar ose mbështetur "mosbindje civile" përse nuk mbështet kauzat e qytetarëve që lidhen me sigurinë e fëmijëve në shkolla, por ka prioritet "qeverinë teknike"? Sepse, "mosbindjet civile" shoqërohen jo vetëm me ndryshime ose korrigjime të normave juridike apo të aksioneve politike të perceptuar të gabuara, por shpesh sjellin e ndryshime rrënjësore të konfigurimeve politike duke rrezikuar kështu establishmentin politik si "Majtas" ashtu edhe "Djathtas".
Opozita kërkon të mbështes vetëm ato aksione që i kontrollon dhe orienton drejt interesit të saj politik, sepse kështu është aktore dhe pretendente e vetme e marrjes së pushtetit. Kjo Opozitë në logjikën e "lojës së pushtetit" me të drejtën kërkon që pushtetin ta marr vetem ajo e të mos e ndaj me askënd.
Në opinionin publik dëgjoje shpesh se nuk ka një përkufizim të saktë për "mosbindjen civile". Në fakt po flasim për fenomen social dhe jo për formulë apo teori matematikore, fizike apo kimike. Prandaj, në fenomenet sociale nuk ecet me terminologji preçize, por ecet me logjikën e analizës në optikën e ngjarjeve historike që grupohen e ndahen sipas kritereve të përbashkëta ose dallues.
Megjithatë edhe sikur të supozojmë se kjo pjesë e Opozitës është duke bërë "mosbindje civile" a është serioze në atë që kërkon dhe insiston?
Justifikimi i tyre është:
- qytetarët protestojnë
- qytetarët po bllokojnë rrugët se nuk janë dakord me qeverinë
Pra, aksionet dhe qëllimet e tyre për pushtet kjo Opozitë e justifikon në emrin e qytetarëve dhe për qytetarët edhe pse shumica e tyre bllokohen në trafik rrugës për t'u kthyer në shpi, ose nëse janë kthyer në shpi as nuk e marrin mundimin të dalin në protestë.
Tani këta dalin e thonë se "mosbindjen civile" e bëjnë për qytetarët! Në protestë pamë deputet e politikan që nëse marrin pushtetin minalimaisht do të jenë ministra.
Kemi një lider që ka pasur gjithçka në karrierën e tij politike e shtetërore dhe vazhdon të thotë se betejën e bën për qytetarët, ndërkohë është kandidat për kryeministër e nëse merr pushtetin ai do të bëhet përsëri Kryeministër!
Pra, këta thonë se betejat i bëjnë për njerëzit e ndërkohë e kanë ndarë tortën e pushtetit e nëse e marrin skenari duket krejt i qartë, që mbetet ai që qytetarët e kanë parë të përsëritur disa herë në 34 vite tranzicion!
Pra, terminologjia është shumë e rëndësishme kur përdoret në politik, sepse tregon seriozitetin e tyre apo besueshmërinë e tyre e kur këta gënjejnë sot me termat imagjino sa mund të gënjejnë nesër në emër të qytetarëve e pushteti nëse marrin pushtetin.
Megjithatë, jam dakord me vete klasën politike, se problemi thelbësor nuk është terminologjia që përdorin ose manipulojnë.
Problemi kryesor i tyre politik është se ata nuk janë e nuk konsiderohen më alternativë nga qytetarët e me siguri këta të fundit po presin e kërkojnë një gjë ndryshe nga realiteti politik i ashtuquajtur "Majtas" dhe "Djathtas".
Kjo klasë politike është e destinuar të rrëzohet, sepse është e konsumuar, nuk ka me ide as qëllime të sinqerta për të përfaqësuar interesat e vërteta të qytetarëve.
Kjo klasë politike është e destinuar të rrëzohet, sepse tashmë është e konsumuar dhe nuk ka më çfarë ofertë reale t'u ofrojë qytetarëve.
Kjo klasë politike është e destinuar të rrëzohet, sepse përtej interesit për pushtet nuk ka asnjë interes tjetër real për të ofruar model të suksesshëm qeverisje.
Do rrëzohet. Vetëm mos mbani frymën.
Përgjigju