Parlamenti

Alban Daci: Ku jetojnë këta deputetët tanë?

17 Tetor, 18:56| Përditesimi: 17 Tetor, 18:58

  • Share

Me standard ekonomike dhe me stil jete nuk kam pasur dyshime se prej kohësh nuk jetojnë mes shqiptarëve, mes atyre shqiptarëve që i kanë zgjedhë, sepse këta të fundit vazhdojnë të jetojnë me të njëjtat halle, probleme, sfida për jetën si në kohën që i kanë votuar ata, ose kanë votuar partinë për nostalgji që lidhet me kauzën dhe kohën.

Madje, shumë votues të tyre vazhdojnë të jetojnë në të njëjtat fshatra të thella, me rrugë me baltë, pa rrugë fare e disa prej tyre tashmë janë pensionistë ndoshta pak më të lumtur se kam marrë një rritje tashmë sa me blerë katër bukë në muaj. Disa prej këtyre votuesve, meqë nuk e gjetën shpresën që kishin menduar pasi i votuan janë larguar fare të dëshpëruar nga Shqipëria e me siguri nuk duan të dëgjojnë më për votime, fushata e për politikën.

Në krahasim me rritjen e pensioneve apo të rrogave të qytetarëve dhe me hallet e tyre që nuk ndryshojnë, sigurisht tashmë deputetët e zgjedhur prej tyre e kanë aq të mirë rrogën që të udhëtojnë në fundjave nëpër Europë për të blerë rroba në dyqane marke e kështu mund ta ndërrojnë gardërobën për të bërë paraselen e radhës çdo të enjte. Gara e tyre është kush ka rroba me të shtrenjta, cilësore e kush ka makinën me të re dhe më të shtrenjtë. Sigurisht ky nuk është realiteti i votuesve të tyre që kanë mbetur me të njëjtat standard jete ose edhe më keq dhe vazhdojnë të jetojnë me të njëjtat probleme ku më kryesorja është ku të gjejnë lekët për të rregulluar dhëmbët, për të shkolluar fëmijët, për të paguar dritat, ujin, për të marri ilaçet për ndonjë patologji kronike.

Sjellja e stili i parlamentarëve tanë ka kohë që nuk ka lidhje me stilin dhe standardin e votuesve të tyre. Këtë e dinim, por siç duket janë shkëputur aq shumë nga realiteti dhe lidhja me elektoratin sa kam përshtypjen se shpesh harrojnë se shqiptarët kanë 34 vjet me të njëjtën muzikë të një politike konfliktuale dhe me një tranzicion demokratik që nuk ka asnjë shenjë drite në fund të tunelit për tu mbyllur.

Këta deputetët që flasin si përfaqësues të votuesve dhe qytetarëve shqiptarë nuk e kuptojnë se Shqipëria ka nevojë për një politikë normale dhe për reforma që do të ndihmonin të bëhej anëtare e BE dhe shqiptarët të ishin qytetarë europian njësoj si të tjerë e të mos diskriminoheshin si qytetarë të dorës së dytë.

Kur shikoj sjelljet e deputetëve tanë, hallet e tyre për pushtet dhe privilegje më vjen natyrshëm pyetja: Ku jetojnë këta? Sigurisht për standardet e jetës dhe të mirëqenies falë mandatit të besuar nga votuesit nuk jetojnë në Shqipëri! Kohët e fundit po mendoj seriozisht se ata nuk jetojnë as në kohë e as në hapësirë në Shqipëri! Nuk jetojnë me nevojat dhe sfidat që ka vendi, por as me hallet, problemet dhe nevojat që kanë qytetarët!

Shpesh, në vazhdimësi thuajse 34 vjeçare e sidomos kohët e fundit më duket sikur kemi një Parlament që Selinë nuk e ka në Shqipëri, por në mars për marsianët.

Këta deputetë, pa dallime majtas e djathtas, do i bënin nderë vetës dhe shqiptarëve që të mos vepronin e të flisnin në emrin e këtyre të fundit, sepse më këta janë ndarë që kur kanë marrë mandatin e pastaj janë larguar edhe më shumë me rritjen e rrogave që kanë pasur kohët e fundit.

Një deputet merr pak a shumë në muaj aq sa do të merrnin thuajse tre pensionist së bashku në një vit. Megjithatë, ky akoma vazhdon e flet në emër të tyre duke thënë se është përfaqësuesi i tyre. Kohë të vështira janë, por duhet të ndryshojë kjo muzika e konfliktit politik, sepse në 34 vite të humbur kanë dalë vetëm shqiptarët duke humbur disa herë trenin e integrimit politik. Ndërsa politika, thjeshtë ka ndërruar personazhet me radhë, por në thelb pushteti ka qenë vetëm i tyre dhe jo i qytetarëve.

G.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Seldi: 18/10/2024 01:45

    Po ja, nje deputet qe di une, jeton ne Surrel, punon ne Tirone (si tironc kominist i vjeter), zgjedh deputet nga OC ne Vlore por me shumti nga OC e Durresit ku dhe ka pune per te kry (OC-Organized Crime). Ty Alban nga te dalin restoja?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?