Po jetojmë një periudhë ku koha kalon shpejt dhe krejt pa u kuptuar. Në këtë kohë me intensitet të lartë duket sikur gjënë më të rëndësishme, jetën e kemi lënë pas dore. Kemi iluzionin se jemi të përjetshëm e harrojmë se vdekja dhe lindja ecin pranë e paralel. Pa lindur askush nuk mund të vdes, por askush nuk ka shpëtuar nga vdekja.
Materializmi duket sikur është bërë gjëja më e rëndësishme e jetës, por shpesh ndodh që të gjithë vdesin dhe asgjë nga të mirat materiale nuk mund ti marrin me vete në botën tjetër për ata që janë besimtar, ose në asgjë tjetër për ata që nuk besojnë në dimensionin tjetër të jetës që besimet fetare e konsiderojnë jetën e vërtetë me dimension shumë më të gjatë në kohë.
Secili nga ne mbahet mend në këtë jetë për atë që ka bërë, për atë që ka thënë, shkruar, ka lënë si dhe për veprat e tij qofshin të liga apo edhe të këqija. Egoizmi jonë, karakteristikë e qenies tonë, na bën të besojmë se vdekja nuk do të trokas asnjëherë dhe historia njerëzore ka dëshmuar që ajo troket dhe shpesh atëherë as kur nuk e ke menduar.
Veprat janë prova më të cilën dikush respektohet e kujtohet në këtë jetë. Shpesh mendojnë për të kënaqur veset tona personale shpesh të mbushur me xhelozi, shpirtligësi, urrejtje apo edhe luftë të pa kuptimtë.
Rasti i vdekjes së Artur Zheji si një lajm me dimensione publike për shkak se edhe figura e tij ishte e një dimensioni publik. Urimet e shumta, qëndrimet e shumta nga të gjitha nivelet e shoqërisë, dëshmon faktin, se Arturi ka lënë shumë gjëra mbrapa e për pasojë vdekja e tij fizike nuk do e zbeh figurën e tij, por jam i bindur që secili prej nesh, i pastruar nga xhelozia apo edhe veset e tjera të qenies njerëzore do e lartësojnë akoma më shumë emrin e Arturit nga sot e mbrapa.
Jeta është shumë e shkurtër dhe tashmë kemi prova nga historia njerëzore.
Jeta është dhurata më e madhe që na ka dhënë Zoti për ne besimtarët, ose gjëja më e bukur dhe mistere e dhuruar nga e mbinatyrshmja për ata që nuk besojnë në asgjë.
Jeta meriton respektin maksimal e bashkë me të njerëzit tanë që na rrethojnë duke i dhënë asaj kuptimin e një qenie sociale.
Shpesh gjatë ditës duhet ta ndalojmë vrullin e konsumit të kohës dhe të mendojnë për gjërat e bukura, për njerëzit që na rrethojnë dhe po ashtu edhe për vetë jetën duke i dhënë rëndësinë që ajo meriton si dhurata me e rëndësishme dhe e bukur.
Duhet të gëzojmë ato që po përjetojmë dhe të mos lodhemi, stresohemi për atë që na pret e cila është e panjohur dhe për pasojë nuk ka kuptim që të stresohemi për të panjohurën.
Duhet ta jetojmë ditën si njësi matëse të jetës tonë, të respektojmë e të duam njerëzit që na qëndrojnë pranë, që pranojnë të ndajnë dhe të konsumojnë kohën me ne.
Nuk duhet ta harxhojmë kot asnjë sekondë të kohës së jetës tonë, sepse koha e jetës është vetëm në krahun progresiv, ajo ec para, nuk kthehet kurrë mbrapa.
Mirësia duhet të jetë orientimi kryesor i mënyrës të jetuarit.
Nuk duhet të hidhërohemi me askënd e as me vetë kohën.
Hidhërimi nuk zgjidhë asgjë, përkundrazi na bën të harxhojmë kohën e jetës tonë në mënyrë të pa dobishme.
Të gjithë jemi të vdekshëm, por ne e kemi në dorë të zgjedhim vdekje dinjitoze apo vdekje boshe duke mos lënë asgjë mbrapa që të kujton emrin dhe veprat.
Arturi, ka lënë një emër që brezat që do të vijnë do të kenë mundësi ta kujtojnë si dhe pse jo të mësojnë nga ato çfarë ka thënë dhe ka lënë të shkruar.
Komente
