Sali Berisha gjatë një konference për gazetarët

Opinion

Alban Daci: Nuk ka lindur akoma një diell më i fortë se i Berishës për të mundur hijen e këtij të fundit!

28 Gusht, 14:24| Përditesimi: 28 Gusht, 14:27

  • Share

Debati brenda PD, në fakt po zhvillohen si gjithmonë në optikën e ekuilibrave, forcave, interesave! Ata që identifikohen me Berishën sigurisht që janë më të deri në fund apo në çfarë do lloj fundi të mundshëm duke aluduar se pa Berishën s'ka PD, ky është i vetmi që e mban të bashkuar dhe i bashkon demokratët! Kështu thonë edhe "aleatët" e Berishës! Të tjerët që nuk janë pjesë e asnjë projekti të Berishës, tentojnë me gurë nëpër dhëmbë me hipotezën se PD duhet riformatuar, reformuar apo freskuar!

Thelbin asnjëra palë nuk ka guxim t'a thotë troç siç duhet, se: Berisha nuk mund të jetë më e ardhmja e PD! Për sa kohë kjo esencë nuk elakohet, do të thotë se gara mes të dyjave palëve është në fakt se kusht t'i bjerë më shumë në sy Berishës e kush t'i afrohet më shumë këtij të fundit! Këta e kanë garën mes veti për t'u afruar me Berishën, sesa të kenë kurajën për t'a zëvendësuar atë!

Debatet për ta mundur apo për ta zëvendësuar Berishën në PD, jo vetëm nuk janë të sinqerta por nuk kanë asnjë lloj peshe apo force politike. Berishën nuk e mundin, sepse PD është ndërtuar ndër vite që ai as të mos mundet dhe as të vendosin në diskutim autoriteti i tij.

Berisha në PD nuk ka qenë kurrë vetëm një kryetar, por ka qenë një autoriteti, një kulturë politike që nuk lejon krijimin e rivalëve, kundërshtarëve dhe sa herë ka shenja të tilla ata sulmohen përmes kulturës së Berishizmit si tradhtarë, të shitur, të paftë, humbës e demontohen me fjalor agresiv, me gjuhë barbare dhe kur nuk mjaftojnë këto vendosen në funksion edhe mekanizmat tjerë që mjetet justifikojnë qëllimin siç ka thënë Makiaveli.

Nëse Ramën këta e konsiderojnë si një pushtues autoritar të privilegjit për të qeverisur dhe kjo prapë sipas kulturës “berishiste”, për ta mundur atë duhet të ketë një betejë të brendshme për të mundur e larguar të gjithë ata që për shkak të egoizmit të tyre kontribuojnë drejtpërdrejtë në qëndrimin thuajse të përhershëm të Ramës në pushtet.

PD është ndërtuar në një formë të tillë që është identifikuar, do të identifikohet dhe do të mbahet mend me lidershipin e Berishës. Të tjerë kanë ardhur, kanë ikur e kanë ardhur përsëri, por kanë qëndruar gjithmonë nën hijen e Berishës, qoftë në të mirë apo edhe në keqe. Është thuajse e vërtetë se shumica kanë bërë karrierë dhe kanë siguruar privilegje falë lidershipit të Berishës, sepse ky i fundit ka qenë i parë qoftë në betejat që i ka fituar, por edhe në ato që i ka humbur.

Nuk mund të mundet apo të sfidohet Berisha nga ata që kanë qëndruar gjithmonë nën hijen e tij, por ai mundet vetëm në momentin, kur të lind një diell më i madh dhe më i fuqishëm se dielli i tij që tashmë drejt perëndimit. Janë tentuar disa herë beteja për ta mundur Berishën, por të gjitha kanë dështuar, sepse asnjëri prej tyre nuk ishte i barabartë ose më i fortë se Berisha, por ishin hijet e tij që tenton ta sulmonin pasi mbeteshin të pakënaqur me të me justifikimin se i kishin shërbyer me besnikëri e devotshmëri.

Betejat edhe kur kanë qenë reale dhe jo të shtirura brenda PD, nuk kanë qenë asnjëherë për parime apo për modele të ndryshme politike, por kanë ardhur në formën e fraksione të lindura nga pakënaqësitë personale në raport të drejtpërdrejtë të marrëdhënies që kishin ndërtuar me Berishën, sigurisht në rangun drejtues e vasal, sepse nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të barabarta.

Mendoj se debate sot se çfarë mund të ndodh me PD, nëse do e largojnë apo jo Berishën, në dimensionin e realitetit ku jetojmë dëshmon në thelb dëshpërimin e mungesës  së besimit të tyre që janë në PD për të besuar tek vetja. Të gjitha pohimet dëshpëruese se Berisha është i pazëvendësueshëm dhe pa të mbaron historia, janë të natyrës fataliste dhe në thelb edhe komuniste.  Megjithatë, këto qëndrim kanë ndoshta edhe një të vërtetë, që këta e njohin mirë vetën e tyre dhe janë të vetëdijshëm që nuk kanë asnjë cilësi për të qenë lider dhe për tu sjellë si të tillë.

Për sa kohë nuk ka lindur një diell më i fortë se i Berishës që është drejt perëndimit dhe për sa kohë ky diell nuk  e mund hijen e Berishës ose berishizmin, çfarë mund të ndodh sot në PD ka pak rëndësi ose hiç fare rëndësi, sepse nuk sjellë asnjë ndryshim të shumëpritur. Këto tentative i kemi parë për thuajse 30 vjet edhe në kohën kur PD kishte figura shumë më të forta dhe të spikatura se të sotmen, që kanë pasur guximin të përballen me Berishën, por kanë humbur, janë larguar e pastaj janë kthyer përsëri me ftesën e Berishës përmes një amnistie të madhe siç ishte viti 2005.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?