Një subjekt politik matet nga kauzat, popullariteti në njerëz dhe mbi të gjitha në realitetin tonë politik matet edhe me personalitetin dhe faktin se kush është lideri i subjektit. Tashmë kanë kaluar disa vite në kohë që nga 2013 edhe pse në fakt realiteti politik ka mbetur pothuajse i njëjtë, sepse dominimi i skenës politike vazhdon të jetë binomi Berisha-Rama dhe jemi më të rritur, më të pjekur politikisht për të diskutuar pa emocione për atë që njihet si fenomeni më i rëndësishëm politik pas ngjarjeve të viteve 1990 që rrëzuan regjimin, Aleanca Kuq e Zi.
Sot, Kreshni Spahiu, tashmë thuajse i larguar plotësisht nga protagonizmi i pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në skenën politike, ka zgjedhur që të jetojë jashtë, por të kontribuar përmes analizave të tij në mediumet e shkruara dhe vizive shqiptare. Kam pasur fatin të jem bashkëpunëtor me Kreshnikun në rrugëtimin tonë intensiv dhe të shkurtër me Aleancën Kuq e Zi. Në planin personal nuk kam asnjë lloj pendese për atë rrugëtim dhe përkundrazi ka qenë shkolla më e rëndësishme e imja politike për të kuptuar mirë sesi funksionon sistemi politik shqiptar dhe kam nxjerrë shumë leksione të rëndësishme si faktin se binomi Berisha-Rama është i fortë dhe dominojnë jo vetëm politikën, por çdo sferë sociale, ekonomike dhe shumë të tjera të vendit. Pra, nëse ata nuk duan ose nuk janë dakord, ka pak gjasa ose thuajse fare të ndodhin ndryshime të mëdha dhe të rastësishme.
Kreshniku, sot është larg jetës aktive politike dhe për pasojë nuk përbën rrezik eminent për establishmentin politik. Megjithatë, ai vazhdon të jetë një faktor i konsiderueshëm i mendimit politik të lirë, mbi palët dhe për palët. Sot, kur flas për Aleancën Kuq e Zi, nuk flas më me eufori apo me emocione si një person i përfshirë drejtpërdrejtë në atë lëvizje e cila tashmë nuk ekziston faktikisht. Kam qenë e mbetem idesë se Aleanca Kuq e Zi ishte fenomeni më i rëndësishëm politik pas ngjarjeve të viteve ’90 që rrëzuan regjimin e më vonë pasuan pluralizmin. Kjo është një bindje e imja personale e cila sa më shumë kohë kalon aq më shumë më forcohet.
Në fakt, Aleanca Kuq e Zi nuk ekziston më si subjekt politik, por ajo qëndron aty si një linjë e rëndësishme e filozofisë politike, sepse lindi për shkak të kauzave dhe jo nevojës të vetme për pushtet. Ishin njerëz të frustuar nga politika e cila kishte humbur busullën qasjes patriotike që kërkonin diçka të re duke e krijuar atë. Pra, Kauzat dhe qasjet e Aleancës Kuq e Zi mbeten gjithmonë aktuale dhe të nevojshme, sigurisht pas disa vitesh tashmë duke i moderuar disa qëndrime të saj që ndoshta ishin të dobishme, por nuk qëndronin në koherencën e proceseve në të cilat ishte përfshirë faktori shqiptar në Rajon dhe po ashtu vetë Kontinenti Europian.
Aleanca Kuq e Zi u masakrua deri në shuajtje nga binomi Berisha-Rama. Pse ndodhi ky sulm i pa precedent ndaj saj në 2013 dhe nuk ndodhi në 2025 nga subjekteve të reja? Çfarë ndryshojë nga atëherë dhe sot? Në 2013 Pushtetin e kishte Berisha dhe ky i fundit ka pasur një tendencë gjithmonë më agresive ndaj kujdo që tentonte t’i dobësonte pushtetin. Ndoshta, shumë qytetarë e kanë harruar sjelljen e Berishës në pushtet, por ai ka pasur gjithmonë një qasje të drejtpërdrejtë agresive dhe jo diplomatike me këdo që tentonte qoftë edhe me mendim ti dobësonte pushtetin politik.
Gjithashtu, forca ose karakteri i një lëvizje politike identifikohet me liderin apo edhe me themeluesin në rastin e Aleancës Kuq e Zi siç ishte Kreshnik Spahiu, i cili kishte dhënë sinjale të qarta se ishte i vështirë në kompromise dhe kulmi i karakterit të tij shënon largimin nga KLD. Kreshnik Spahiu në 2013, për shkak të eksperiencës së tij të konsiderueshme edhe si kryetar i KLD, angazhimeve të ndryshme në fushën e drejtësisë dhe të shoqërisë civile, popullaritetit që gëzonte në 2013 e bënin atë të konsiderohej jo vetëm kryetar i thjeshtë i një subjekti politik, por një lider me artikulim të qartë, karizëm të fortë duke u konsideruar kështu si një lider me peshë të fortë kombëtare. Pra, Spahiu në 2013 konsiderohej me siguri nga Berisha dhe Rama një rival real për të ardhmen politike në sistemin politik shqiptar. Në fakt, në planin personal Kreshniku nuk kishte asgjë më pak se Rama dhe Berisha për të qenë lider.
Në kohën që kam bashkëpunuar dhe qëndruar përkrah Spahiu kam kuptuar se ai ishte një “kafshë politike”, kishte një intuitë të jashtëzakonshme për të kuptuar situatat, për të krijuar e mbrojtur kauzat si dhe ishte shumë tërheqës nga masa. Nuk besoj se ka pasur politikan më popullor dhe më me shumë ndjekës në vitet e fundit në politikën shqiptar sa ishte Spahiu. Sa herë kishim tubime në zona të ndryshme të Tiranës apo të Shqipërisë, nuk kishte nevojë të organizoheshim për të mbledhur njerëz, mjafton të merrnin veshtë se ishte takim i Aleancës Kuq e Zi dhe se i pranishëm ishte edhe Kreshniku. Aleanca Kuq e Zi ishte kthyer në një trend të fuqishëm social e politik.
Mendoj e besoj se Berisha e Rama e kanë konsideruar një rival serioz Kreshnikun dhe sikur të ishte gara politike në kushtet të barabarta nuk e dimë sesi do të ishte sistemi politik shqiptar sot, por një gjë është e sigurt se nuk do të ishte siç është. Prandaj, ata i vendosën kusht vetës që ta eliminonin me çdo kusht politikisht Spahiun dhe ia dolën falë mekanizmave dhe binonimit që kishin.
Në 2025 nuk ndodhi ky sulm i ngjashëm me atë ndaj Kreshnikun ndaj kryetarëve të subjekteve të reja politike, për faktin se në pushtet është Rama dhe ai nuk ka qasje tipike agresive të ngjashme me atë të Berishës ndaj rivalëve si dhe për faktin se me gjithë tentativat që bënë kryetarët e subjekteve të reja politike në këto zgjedhje, ata nuk arritën të krijonin entuziazëm dhe të ktheheshin në një trend të fortë politik siç ishte Aleanca Kuq e Zi në 2013. Ndoshta edhe për faktin se kryetarët aktual të subjekteve të reja nuk kishin karizmin, popullaritetin dhe intuitën politike që kishte Kreshniku. Mendoj se shoqëria shqiptare e frymëzuar edhe nga Aleanca Kuq e Zi është kthyer më e hapur dhe e shikon më të domosdoshëm nevojën e një ndryshimi të madh politik në vend. 2013 ndoshta Aleanca Kuq e Zi ishte shumë hapa para optikës së qytetarëve për ardhmen politike të vendit.
Komente
