Po, po, le të themi se të gjitha “fajet” i ka Basha! Basha i ka fajet që solli të rinjtë në politikë dhe investojë që ata të ishin një model perëndimor për të përfaqësuar një model të ri të PD, por thuajse të gjithë prej tyre, e njihnin vetën e tyre dhe e kuptonin se nuk ishin pjesë e të resë.
Fajet i ka Basha që u siguronte karrierë e pushtet të rinjve në Bashki dhe në Ministritë që ai drejtonte, por disa edhe pse ndoshta të punësuar në mënyrë të pamerituar dhe e paskan konsideruar si “mashtrues”.
Fajet i ka Basha që po bënte një kalim të brezave të PD duke e mbushur atë me të rinjtë për të përfaqësuar modelin liberal dhe progresit, por shumë prej tyre krejt papritur zgjodhën të konvertoheshin në të ashtuquajtur “konservatorë” edhe pse siç e kam thënë shpesh, Shqipëria nuk ka pasur e nuk ka trashëgimi konservatore, sepse nuk ka mbaruar plotësimin e procesit të saj me një liberalizëm të suksesshëm.
Fajet i ka Basha që dogji mandatet si mundësi e vetme për të rikthyer në pushtet demokratët në një parlamentarizëm që e kishte humbur misionin e tij origjinal. Atëherë i thanë “bravo” e tashmë e quajnë bashkëpunëtor me Ramën. Ata që zëvendësuan listat e PD dhe morën mandatet duke siguruar vazhdimësinë e Ramës, krejt papritur u zgjodhën përsëri aleatë nga “PD” e reformuar!
Fajet i ka Basha që bëri “Qeveri teknike” që mbështet Spak dhe drejtësinë. Me siguri qytetarët kanë qenë më mirë me drejtësinë që kishim më parë?! Sigurisht se për politikanët drejtësia e mëparshme ishte më e mirë, sepse ndryshe nuk do të bënin më 7x7=313.
Fajet i ka Basha me siguri për të gjithë ata që në fillim e mbështetën vendimin e tij për “Non Grata”, por rrugës ndryshuar mendim duke ndjekur drejtimin e forcës dhe jo të orientimit Euroatlantik.
Fajet i ka Basha ndoshta, që ju dha besimin politik dhe njerëzor, personave që në fakt nuk tradhtuan Bashën, por misionin e tyre të vërtetë që duhet të kishin në politikë.
Pra, fajet i ka Basha!
Komente
