Alban Daci

Opinion

Alban Daci: Largohem nga angazhimi politik, por jo nga politika!

11 Mars, 21:35| Përditesimi: 11 Mars, 21:39

  • Share

Politikën e kam parë si një mundësi për të kontribuar përmes ideve, aksioneve dhe mundësive për Vendin dhe për disa parime që i konsideroj të rëndësishme dhe të patjetërsueshme. 

Një ndër misionet e mia kryesore në angazhimin politik ka qenë mundësia për të futur e mbrojtur meritokracinë, sidomos tek të rinjtë, që pavarsisht statusit social, rrethanave politike, por mbi të gjitha për shkak të formimit dhe cilësive të kenë mundësi të barabarta dhe jo siç ka ndodhur vazhdimisht që disa janë trajtuar si të "njerkës" e disa si të "nënës".

Para disa vitesh si domosdoshmëri për t'i dhënë forcë të drejtës së votës të emigrantëve, për të përfaqësuar zërin e tyre në politikën shqiptare dhe jo vetëm, si domosdoshmëri të kohës, mora nismën e themelimit të Degës të Partive Demokratike në Liguria, për herë të parë në këtë Rajon!

Pra, themeluam diçka nga hiçi! Jam krenar dhe i lumtur që zërin e emigrantëve, sa herë kam pasur mundësi e kam ngritur në forumet më të larta politike.

E gjithashtu jam i lumtur që kam kontribuar në mënyrë të vazhdueshme që e Drejta e votës së emigrantëve të bëhej realitet! Tashmë për herë të parë po ndodh e ndjehem shumë i lumtur për këtë

Krijimi dhe themelimi i kësaj degë nuk kishte parashikuar krizat e brendshme të PD dhe çfarë do të ndodhte në vazhdim, por kishte qëllim primar forcimin e kësaj force politike për të kontribuar, sadopak që ajo të ishte alternativë qeverisëse! Kam mbajtur qëndrim individual në lidhje me krizën e brendshme të PD, që ka të bëj me parimet sesi e shikoj une PD sot e si duhet të ishte apo duhet të jetë nesër!

Krizën e brendshme të PD nuk e kam importuar në Degën e Liguria, që kjo të mos përçahej dhe demokratët në emigracion të mos kishin zënka dhe sherret të brendshme!

Foltorja, menjëherë si kundërpërgjigje ndaj qëndrimet të mia krijuan një degë tjetër me njerëz të tjerë e përsëri nuk i përfshiva në asnjë lloj debati.

Jam përpjekur të ngjis shkallët e karrierës brenda PD, kur kjo e fundit ishte para, pas dhe gjatë krizës, sigurisht me meritokraci.

Vazhdimisht kuptova se radha ime ishte gjithmonë nga fundit dhe vazhdimisht dilte një justifikim, ndonjëherë i logjikshëm e herë të tjera absurd! Gjithmonë, para meje ishin të tjerët, të parët për privilegjet!

Në këndvështrimin e përfaqësimit të emigrantëve, realizuam takimin e parë në Milano duke hapur më vonë siparin edhe për të partitë e tjera.

Takimi i Milanos i realizua në kohë rekord, në një moment të vështirë politik të subjektit, por mendoj se qe i sukseshëm!

Pas takimit, koha po kalonte dhe askush nuk më kërkojë të angazhohesha më tej politikisht në emigracion. Ndërkohë më vonë u realizua vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë e krejt papritur shumica e partive politike kthyen kokën nga emigrantët duke realizuar takime pafund.

Politikën e kam konsideruar përfaqësim e kontribut. Duke qenë se pas disa kohësh angazhim, jo për shkakun tim, por si pasojë e rrethanave, në këto zgjedhje nuk kam mundësi as përfaqësimi dhe kontributi.

Nuk e kam lidhur angazhimin tim me sjelljen: "më jep e të jap". Nuk po largohem, sepse nuk u bëra deputet, por për faktin, se nëse nuk ke mundësi të jesh i përfaqësuar nuk ke mundësi as të kontribuosh për të mbrojtur tezat dhe optikën në  qasje me politikën!

Nuk po largohem për të shkuar diku tjetër, sepse tashmë listat e të gjithave subjekteve janë mbyllur.

Largohem me keqardhje nga angazhimi i drejtëpërdrejtë në politik, por jo nga politika që mbetet pasion i madh për mua dhe mundësi për të kontribuar për vendin në kauzat publike.

Ndoshta së shpejti ose në një të ardhme do të rishihemi përsëri, deri atëherë, politika do të mbetet një pasion i madh i imi, por pa rol konkret përfaqësimi.

Kështu, heq dorë nga çdo lloj përfaqësimi apo angazhimi konkret politik!

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?