Gjigandi spanjoll i transmetimit të gazit “Enagas” vjen në Shqipëri falë marrëveshjes së nënshkruar me shoqërinë “Albgas”. Kjo marrëveshje e kthen kompaninë nga gadishulli iberik në një aksionere të shoqërisë shqiptare të gazit. Kjo marrëveshje vjen si pjesë e strategjisë së qeverisë të nisur në 2019-ën, për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë.
"Vërtet ne prodhojmë 100 % energji të rinovueshme, por edhe në ditët më të mira nuk është më shumë se 75 % e nevojës së tregut, që do të thotë se ne jemi të detyruar të blejmë në import", tha Balluku.
Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se do të ndikojë në hapat që do të hedhë Shqipëria në të ardhmen dhe vuri theksin tek energjia e rinovueshme.
"Duke pasur një partner të ri, duke firmosur sot një bashkëpunim me “Enagas”, kemi shënuar sot një hap të ri për të forcuar sistemin tonë energjetik, për të krijuar kapacitetet e reja dhe burimet alternative të prodhimit të gazit të lëngshëm dhe duke kthyer Shqipërinë si një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit për transmetimin e gazit të lëngshëm, i cili do të vijë në portin e Vlorës dhe duke e kthyer Shqipërinë në një faktor energjetik për të gjithë Europën”, tha Balluku.
Për kompaninë spanjolle, Shqipëria është zonë kyçe për sigurinë energjetike.
“Shqipëria do të jetë kyçe për zgjidhjen e jo vetëm të nevojave të saja për energji, por në këtë mënyrë të kongribuoj për sigurinë e energjisë në europë. Enagas dhe albgas embrion i një opertori te vetëm europianë në fushë. Kjo vlen në veçanti për Mesdheun", tha CEO i Enagas Arturo Gonzalo.
Për administratorin e “Albgas”, Arber Avrami, kjo marrëveshje i vjen në ndihmë objektivit madhor të kthimit të Shqipërisë në qendër rajonale energjetike.
Ky është projekti i dytë për gazin e lëngshëm natyror që Kryeministri nënshkruan me një kompani të huaj. Shqipëria firmosi marsin e vitit të kaluar një marrëveshje me SHBA i cili përfshinte konvertimin e TEC-it të Vlorës dhe ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi duke e shndërruar Vlorën një port rajonal të gazit.