Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Opinion

Albin Kurti, 'lideri i shqiptarisë' që u katandis në 'administrator' i 4 komunave në Kosovë

15 Nëntor 2021, 18:40| Përditesimi: 15 Nëntor 2021, 18:42

  • Share

Zgjedhjet në Kosovë kanë dhënë panoramën më të qartë se si mund të ndëshkohet një lider politik që kërkon të dominojë dhunshëm jetën politike, publike dhe sociale të një vendi.

Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes dhe kryeministri aktual i shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, praktikisht nga dita e hënë është përfaqësues i pakicës në Kosovë.

Ka humbur komunën e Prishtinës, ku kishte vënë si kandidat ministrin e tij të preferuar të Shëndetësisë Arben Vitia, por ka humbur dhe të gjitha komunat e tjera të mëdha, duke filluar me Prizrenin, Gjakovën apo Pejën, duke u katandisur në pushtetin vendor vetëm në administrimin e katër komunave të vogla.

Ndërkohë që parti e parë në zgjedhjet për pushtetin lokal në të dyja raundet ka dalë PDK e udhëhequr nga një lideri i ri, ish këngëtari Memli Krasniqi me 9 komuna të fituara, e ndjekur nga LDK e udhëhequr po nga një lider i ri, Lumir Abdixhiku me 7 komuna, mes të cilave komunën më të madhe Prishtinën, që tashmë do të drejtohet nga arkitekti Përparim Rama.

Në vend të tretë si parti politike është AAK e Ramush Haradinajt që ka fituar 5 komuna, çka e nxjerr VV e Albin Kurtit në “cepin” e ringut politik, pa mbështetje dhe të rikthyer në “kostumin” e para shumë viteve, me një mbështetje të paktë dhe parti mbijetese në pushtetin vendor.

Çfarë ndodhi që 9 muaj pas fitores së madhe të Albin Kurtit në zgjedhjet për pushtetin qendror të organizuara me 14 shkurt të këtij viti, ditën e Shën Valentinit, Vetëvendosja “tretet” kaq shumë, duke mbetur vetëm në administrimin e 4 komunave periferike në Kosovë?

Në krye të herës, Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin i ndëshkoi keqqeverisja e vendit, përfshirë dhe mungesën e menaxhimit të pandemisë, e cila ka rënë në këto nivele të ulta vetëm sepse qytetarët kanë fituar imunitet përmes kalimit të Covid 19, ku infektimi ka qënë masiv gjatë gjithë kohës, deri këto ditët e fundit kur ka rënë niveli i fataliteteve dhe rasteve të reja.

“Piruetat” e Kurtit përmes lëvizjeve politike të drejtuara që nga bllokimi i kufijve me Serbinë, vendosja e reciprocitetit të pa lajmëruar dhe mbi të gjitha dhe bllokimin e lëvizjeve në Shqipëri për shkak të “pandemisë” bëri që një masë e biznesit dhe e qytetarëve të Kosovës ta shihnin si një strategji të izolimit të Kosovës kundrejt fqinjëve të saj.

Elementi i dytë që uli shumë pikë në elektorat, ishte acarimi i marrëdhënieve me SHBA, kulmuar me rrëzimin e marrëveshjes Serbi-Kosovë, e nënshkruar në prani të ish presidentit amerikan Donalt Trump, nga paraardhësi i tij Avdullah Hoti.

Por ajo që izoloi Kosovën më shumë karshi SHBA, me investimin e vetë Albin Kurtit, ka qënë refuzimi i degëzimit të gazit, investim amerikan ky, që e privoi shtetin e dytë shqiptar në Ballkan jo vetëm nga furnizimi i plotë me gaz por dhe nga një investim miliona dollarësh nga SHBA.

Ndërkohë që jo pak ndikim ka pasur dhe acarimi i marrëdhënieve me shtetin amë, deri në armiqësi me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, duke tentuar që këtë armiqësi ta ‘injektojë’ dhe tek qytetarët e Kosovës. Madje gjithë makina propagandistike e armatës së “patriotëve” të rrjeteve sociale, vend e pa vend gjenin rast për të goditur kryeministrin shqiptar.

Nëse njerëzit e Kurtit shpreheshin përmes rrjeteve sociale por dhe aksesit të paguar në mediat e Kosovës, qytetarët e Kosovës treguan me votë se në fund të fundit ata e donin fort Shqipërinë, nuk e kanë nxjerrë kurrë nga zemra dhe kërkonin deri në infinit zhbllokimin e marrëdhënieve me shtetin amë.

Ka ndikuar në këtë humbje katastrofike në pushtetin vendor dhe mungesa e barazimit mes asaj që propagandohej me atë që realizohet. Pra në shkëputjen e Kosovës nga ndikimi serb dhe pafuqisë së Kurtit dhe e qeverisë së tij për të përballuar ekspasionin e mallrave serbe dhe tregtisë me Kosovën, e cila është në krye të listës së marrëdhënieve të Kosovës me vendet fqinje. Por dhe me mungesën e reagimit ndaj “intervenimeve” regjionale, kulturore e politike serbe në të gjithë territorin e Kosovës, veçanërisht në Veriun e saj, teksa me një kut tjetër politik, Kurti dhe mbështetësit e tij ishin të “zënë” me luftën kundër këngëtarit kroato-boshnjak Gregoviç që po performonte në Korçë.Duke harriar këngëtarin serb “Çetnikun”, të performonte njëkohësisht në zemër të Kosovës, pa lëshuar madje asnjë akuzë ndaj tij nga këta “patriotë”.

Dhe në përfundim të gjithë këtyre të metave, kemi lënë shumë pa përmendur këtu, shtuar dhe freskimin e lidershipit të dy partive të mëdha PDK dhe LDK, përballë të cilëve Albin Kurti dhe mbështetësit e tij dukeshin të “plakur”, sjellja politike e Kurtit dhe e qeverisjes së tij solli dhe humbjen katastrofike të VV në zgjedhjet vendore në Kosovë. Që gjithësesi janë paralajmëruese për një rezultat të tillë dhe në zgjedhjet parlamentare për pushtetin qëndror në të ardhmen.

Por mbi të gjitha, në Kosovë dështoi filozifia politike e Albin Kurtit, e mbështetur fort dhe në Shqipëri nga shumë panelistë shqiptarë e mbi të gjitha dhe nga “dinozaurët” e politikës shqiptare Sali Berisha dhe Ilir Meta, për dominim të tërë hapësirës shqiptare në Ballkan.

Albin Kurti, i nxitur nga egoja e tij, këshilltarët e këqinj dhe mbi të gjitha nga “ustallarët” Berisha e Meta në Tiranë që kishin dominuar politikën për 30 vite me radhë dhe që u nevojitej kreu i “VV” për ta vënë përballë kundërshtarit të tyre të madh Edi Rama, si dhe panelistët në Tiranë që e mbështetën fort, “përkëdhelën” egon e Kurtit, duke i mbështetur idenë që ai është lideri i ardhshëm i shqiptarëve në Ballkan, dhe që kishte vetëm një pengesë: Edi Ramën.

Pra që të bëhej “lideri i shqiptarisë” siç cilësohej nga “patriotët” e rrjeteve sociale, Albin Kurti duhej të zhvendoste me patjetër Edi Ramën nga ky pozicion, gjë që “ustallarëve” u volistë për të dobësuar kundërshtarin e tyre politik, dhe ndërkohë që i dhanë të gatshme teza që akuzonin Ramën se kishte tradhëtuar Kosovën, duke planizuar ndarjen e saj, bashkë me Vuçiç dhe Thaçin.

Madje nuk munguan dhe zërat “entuziastë” të këtij kotigjenti mbështetësish në të ady anët e kufirit, dhe me “ustallarët” shqiptarë Berisha e Meta brenda, se Kurti ashtu sikurse “fshiu” liderët e Kosovës që për hir të vërtetës i prangosi Haga, duke i lënë fushë të lirë liderit të Vetëvendosjes, ashtu do të fshijë dhe politikanët “tradhëtarë” të Tiranës. Zëra këto të shoqëruar dhe nga organizimi në rrjetet sociale që paraqisnin Kurtin si një “Spiderman” që luftonte me të keqen në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e deri në Malin e Zi dhe që fitoren e kishin të sigurtë.

Ishin teza që nuk ngjitën tek qytetarët e Kosovës, të cilët më se njëherë treguan se janë aq të kultivuar sa të mos besojnë në elementë të tillë, sepse kufijtë që në krye të herës janë ndarë, keq apo mirë, nga fuqitë e mëdha. Të cilat e ndanë territorin shqiptar dhe në dy pjesë dhe shqiptarët nuk mundën të kenë rol për ta penguar një gjë të tillë.

Për më tepër përfshirja e Thaçit në këto akuza, si element bazë i akuzave për “shitjen e Kosovës”, ishte deri në kufijtë e absurditetit, pasi nuk mund të shesë asnjë copë tokë një njeri që ka udhëhequr një luftë kundër Serbisë, siç ishte Thaçi udhëheqës i UÇK dhe lideri kryesor i forcave fituese të luftës së vitit 1999, pas ndërhyrjes së trupave të NATO-s nga ajri dhe toka.

I fiksuar pas idesë së tij për të qënë lider i shqiptarëve në tërë Ballkanin, hapi i parë i Kurtit për të materializuar këtë ide ishte hapja e degës së Vetëvendosjes në Shqipëri, bëri dhe fushatë për zgjehdjet e 25 prillit, dhe mbështetja e një partie shqiptare në Maqedoni. Albin Kurti harxhoi shumë kohë dhe energji për të “përballuar” Edi Ramën, i cili iu përgjigj vetëm me heshtje, pa harruar sipas rastit ta “ngacmonte” për kundërshtinë që qeveria e Kosovës i bëri “Open Balkan”.

Duke u përpjekur të marrë statusin e liderit të të gjithë shqiptarëve, Albin Kurti la pas dore qeverisjen në Kosovë, lejoi ngjitjen e “gjuetarëve” të posteve në të gjithë administratën e Kosovës, futjen e njerëzve të tij nëpër borde që gjeneronin shumë para për t’u përvetësuar, dhe për pasojë krijoi aq pakënaqësi në popull në 9 muaj, sa zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor ishin një dramë për Vetëvendosjen.

Kështu që lideri në tentativë i shqiptarëve të Ballkanit, u katandis në një admninistrator i 4 komunave periferike në Kosovë. Dhe ky është vetëm rrënimi i parë, sepse shqiptarët e Kosovës e dinë shumë mirë tashmë se, Albin Kurti bën më mirë opozitën apo lëvizjen qytetare kundër qeverisë, se sa vetë qeverisjen.

Nëse do të ishte në lartësinë e Zoran Zaevit në Maqedoni, të paktën ditën e sotme Albin Kurti duhej ta kishte artikuluar dorëheqjen dhe kalimin e Kosovës në zgjedhje të parakohëshme parlamentare. Situata në Kosovë nuk është si në Maqedoni, dhe askush nuk do t’i bënte presion për të hequr dorë nga dorëheqja.

Gjithsesi tashmë kuotat politike të Albin Kurtit kanë rënë ndjeshëm, duke treguar qartë se si katandiset një lider politik që kërkon të marrë lidershipin e gjithë shqiptarëve në rajon, në një administrator i katër komunave periferike në Kosovë. Por parashikohet të ketë sërish bjerrje!

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?