Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidentja e KE, Ursula von der Leyen

Albin Kurti në Bruksel: Të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës, t’i jepet statusi i vendit kandidat

19 Shtator, 16:39| Përditesimi: 19 Shtator, 21:34

  • Share

Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Albin Kurti ka marrë pjesë sot në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kyeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në BE dhe t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim, si dhe largimin e masave restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta.

Kurti uroi von der Leyen për rizgjedhjen e saj si presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.

Ai tha se zgjerimi i BE-së, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.

Sa i përket Planit të Rritjes, Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.

Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin.

Çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale./Kosovapress

Ora 21:30
Kurti: Zgjerimi i BE-së, përgjigjja më e mirë ndaj atyre që kërcënojnë paqen

1726774703_albinkurti.JPG

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se zgjerimi i Bashkimit Evropian është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës.

Në një postim në rrjetin X, Kurti ka shkruar se gjatë takimit të sotëm ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen për mbështetjen e saj për Ballkanin Perëndimor.

“Kosova është e etur për t'u bashkuar në "garën për në krye" në një proces anëtarësimi të bazuar në merita. Me zgjerimin e kthyer në agjendën e BE-së, ne presim me padurim marrjen e statusit të kandidatit dhe pyetësorit, pasi angazhimi ynë ndaj reformave, zhvillimit dhe demokracisë vetëm sa bëhet më i fortë”, ka shkruar Kurti.

Ndryshe, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen ka pritur sot në një drekë pune liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mesin e tyre edhe kryeministrin Kurti./Kosovapress

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?