Aleks Buda, portreti prej rilindësi i një akademiku. Rrëfimi i së bijës Tatjana Haxhimihali

11 Mars 2020, 21:01| Përditesimi: 12 Mars 2020, 13:41

  • Share

Emri dhe prestigji i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, që u themelua në vitin 1972 është i lidhur pazgjidhshmërisht me përpjekjet e profesor Aleks Budës, kryetarit të parë të saj.

I lindur në vitin 1911, në një familje fisnike dhe patriote, Aleks Buda ishte i biri i Dhimitër Budës, farmacistit të famshëm, i cili kontribuoi së bashku me burrat më të shquar të kombit, jo vetëm si delegat i Elbasanit në Kongresin e Manastirit por edhe financiarisht.

Dhimitër Buda, gjithashtu ishte një nga financuesit e Shkolles Normale te Elbasanit.

Nga një udhëtim në histori, mësojmë se sistemi universitar dhe akademik në Shqipëri, do të ishte i destinuar që të hidhte rrënjë pikërisht nga pema e familjes së patriotëve e dijetarëve të shquar, Budave të Elbasanit.

Nëse shumë e kanë harruar këtë, mjafton të trokasim në familjen e tij, ku gjejmë arkiva, histori, ngjarje të panjohura, të rrëfyera ekskluzivisht për Report Tv nga vajza e Aleks Budës, Tatjana Haxhimihali.

Intervista

Në një periudhë gati dyvjeçare apo trevjeçare, kur Akademia e Shkencave ka qenë në një fazë reformimi, natyrisht ne kemi kujtuar herë pas here edhe kontribuuesit që kanë hedhur gurë themeli në ndërtimin e Akademisë së Shkencave dhe sidomos në krijimin e Albanologjisë dhe Shkencave të tjera që ruajnë gjuhën, kombin, trashëgiminë, historinë. Prandaj jemi në familjen e tij. Jemi me vajzën Tatjana:

-Pyetja e parë që më vjen ndërmend është ai moment kur babai juaj ka drejtuar Akademinë e Shkencave. Si e mbani mend ju atë periudhë kur ai ishte një nga drejtuesit e një institucioni të madh dhe një nga më të rëndësishmit e vendit?

- E mbaj mend shume mirë, sepse kam qen tek të tridhjetat dhe mbaj mend jo aq emocione, sesa preokupimin e tim ati, për të dalë sa më mirë në aktivitet që duhet të fillonte dhe t’i ndiqte Akademia e Shkencave.

Mbaj mend Kuvendin e Parë të Studimeve Ilire, sepse kishte jo vetëm të ftuar nga të gjitha anët e Europës, deri nga Amerika, por kishte një jehonë,  sepse u përcaktua një vend i shqiptarëve. Nuk e njihnin Shqipërinë. Është fjala për vitin 1972. Kishte shkencëtarë që punonin, kishte studiues që kërkonin dhe nuk kishin asnjë informacion se qenë dhe shumë të pakta komunikimet me botën e jashtme.

Mbaj mend ishte Alois Benac, qe presidenti i Bosnje Hercegovinës në atë kohë dhe ka thënë se:  “Me studimet e tyre, Shqipëria hyri nga dera e madhe në Shkencë dhe me këto zbulime, me këto të dhëna që patën shkencëtarët shqiptarë në kuvendin e parë ilir, Shqipëria arriti të vendoset në të gjithë Europën në një pozicion të palëkundshëm.”

Dhe atëherë u vu edhe shteti në lëvizje. Filluan të botoheshin revista si “Iliria” e të tjera, që të përhapej edhe në botë se çfarë rezultate kishte arritur  shkenca jonë.

Qëndruam pra, pikërisht aty tek kontributet, kur Akademia e Shkencave po ngrihej, po hidheshin themelet e  saj. Por, në familjen tuaj nuk është vetëm një kontribuues, nuk është vetëm profesor Aleks Buda. Dihet që paraardhësit tuaj ka dhënë kontribut gjithashtu për fillesat e atyre që janë bërë më pas si Albanologjia, Gjuha Shqipe, e shumë e shumë të tjera.  Marr shkas nga një relike që keni ju në shtëpinë tuaj, një gazetë e viteve 1909, që ishte shumë interesante. Së pari na tregoni si gjendet kjo gazetë, çfarë tregon dhe pse është kaq e çmuar që është në bibliotekën tuaj?

- Ka shumë gjëra të babait tim. I kemi grumbulluar dhe unë nuk e di se cila është më e çmuara, sepse kjo rastisi që unë ua tregova, meqë ju keni punuar në shtyp, dhe e nxorët si të thuash “me darë” këtë...

Babai i Aleks Budës, Dhimitër Buda (Taqi Buda) ka qenë firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit, në letrën që i dërgohet Ismail Qemalit. Ka qenë pjesëmarrës i Kongresit të Manastirit në 1908-n, në kryesinë e atyre që do të përcaktonin platformën e Kongresit të Manastirit, me Gjergj Fishtën, etj, etj.

Kur e gjete këtë gazetë çfarë mendove?

-Kjo është një reliket e traditës. Dhe mbrapa kësaj është e bukur, sepse janë të gjithë ndihmëtarët e Shkollës Normale të Elbasanit, që japin ndihma për mbarëvajtjen dhe vazhdimësinë e Shkollës Normale. Ja ku është edhe gjyshi im, Taqi Buda.

Pra, ishte një familje arsimdashëse, kulturëdashëse, që nga fillimet. Unë mund të them... ne kemi një libër në bibliotekën e familjes sonë. Është Anastas Nikola Buda, Napoli, 1840. Është që atëherë student në Universitetin e Napolit, pra stërgjyshi i Aleks Budës. Ju nga një fakt që më përmendët më bëtë të nxjerr dhe gjëra të tjera. Pra, kishte një ambient intelektual  dhe shumë të veçantë kjo familje, dhe kështu ishte dhe gjyshi im, babai i Aleksit, që ishte një nga financuesit e përmendur të Shkollës Normale të Elbasanit.

Gjithsesi, nga ajo që shohim, nga reliket, nga librat, nga kontributet, ka pasur një frymë me të vërtetë rilindëse në familjen tuaj dhe ju jeni me fat që ka ardhur ky frymim në familjen tuaj dhe familja juaj vazhdon të ketë një brez që vazhdon të japë kontributet...

-Ne përpiqemi. Përpiqemi që të jemi të denjë. Unë kam shkruar dy libra për babanë tim, por jo si bijë e babait, por si një njeri që kam ndjerë në kohën kur ndodhnin ndryshimet e mëdha në 1990-n, kur shumë gjëra po ndërronin vend, shumë gjëra po ndryshonin. Ishte një frymë e re e lirisë dhe demokracisë dhe kjo ishte  mirë, por u harrua tradita, që “çdo tullë dhe çdo gurë në kulturë e dije, -ka thënë edhe profesor Çabej, -është një kontribut”.  Dhe në këtë kuptim, unë desha që edhe brezat të shikojnë vazhdimësinë. Nisa për të shkruar për të, për t’ua lënë familjes sime, por e panë me vend disa kolegë të mitë, më konsultuan dhe kam bërë dy libra që tregojnë një jetë të tërë, por një jetë në vazhdim, sepse nuk mund të ndërpritet, siç u bë në kohën e mëparshme, koha e kaluar dhe u nda në kohën e 50 viteve. Nuk mund të ndërpritet dot.     

Absolutisht. Ja të qëndrojmë aty pikërisht në vitin 1909 tek Kongresi i Elbasanit, ku mua më la vërtetë kjo stampë e kohës në shtyp një shenjë shumë të mirë; të vjen një zë nga 100 e ca vite më parë që këta baballarë të dijes, këta baballarë të Akademisë së Shkencave, kanë pasur në genet e tyre, në gjak, përpjekjen e thellë për të sjellë gjuhën tonë, kulturën tonë.

-Të them një gjë, kur ka vajtur në Greqi im at, i ftuar nga kryetari i Akademisë së Athinës atëherë, një shqiptar kishte gjetur një dokument, ku gjyshi im u shkruante shqiptarëve të Selanikut që ‘të mos e shkruanin gjuhën shqipe me germa greke, por të përpiqeshin që gjuha shqipe të shkruhej si një gjuhë europiane me germat latine’.

Dhe kjo ishte një gjë e madhe për atë kohë, kur akoma nuk ishte vendosur  se çfarë alfabeti do të ndiqej, nga ato që përcaktonte Kongresi i Manastirit. Dhe im at ka pasur një atdhedashuri të tillë, që e bëri ta ndjek me pasion edhe me shpirt çështjen e  gjuhës shqipe, të kulturës.

Është një histori e tërë... Kur vjen nga Austria si student, nuk e dinte fare se ku do të kontribuonte në Shqipëri. Pa një boshllëk. Çabeji po kontribuonte në gjuhë, dhe ai pa boshllëkun në lëmin e historisë dhe i hyn çështjeve të historisë së Shqipërisë. Tani ky vinte nga një origjinë e një klase të pasur, por atdhedashëse, ndaj në këtë atë situatë ai nuk mund të merrte dot tema që i kishte koha, si tema e luftës NaÇl e të tjera, por mori tema që ishin shumë me vend për Historinë e Shqipërisë dhe ndoshta kishte boshllëqe; si tema për Skënderbeun, tema e rilindjes, por nuk bëri dot tema, ku ai nuk kishte dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë, sepse ai si nga origjina dhe interesi ishte ndryshe.  

Të qëndrojmë pak tek gjyshi (Dhimitër Buda) edhe ai ka dhënë kontribut për gjuhën. Ato gazeta të shkruara në shqip, ishin thjesht një kontribut atdhetarësh, nuk ishin institucionale, por ishin shqip, shkruar si alfabeti i shqipes së sotme, me pak shkronja të fqinjëve. Pjesa më e madhe ishte alfabeti shqip, pikërisht, ai që u aprovua në Kongresin e Manastirit pak më vonë. Si të duket ty kjo relike, që e ke hapur dhe je befasuar, duke e rizbuluar edhe njëherë për ne, për Report TV?

-Ne i dinim këto kontribute. Ndoshta në atë kohë nuk shkruheshin dhe nuk thuheshin kontributet e gjyshit tim, por di që këndonte gjyshi im. “Moj Shqipni, e mjera Shqipni/Kush të ka qitë me krye në hi.”

Ishte poezi e Vaso Pashës. Im at kur shkonte në Shkodër, do ta vinte një lule në varrin e Vaso Pashës, sepse ishte një traditë familjare, sepse Vaso Pasha kishte krijuar një himn për shqiptarët: Mos shikoni kishë e xhamia/ Feja e shqiptarit është Shqipëria” dhe kjo ishte një frymë pozitive. Kështu edhe lidhja me historinë e Kongresit të Manastirit. Im at krenohej në familje: ndoshta jo aq përjashta, se kishte plot të tjerë që mund të krenoheshin, nuk ishte vetëm gjyshi im.

Por, kishim një gjysh, i cili ka kontribuar dhe të cilit së bashku me shokët e tij që ishin ata të Kryesisë së Kongresit të Manastirit iu vërtetua ideja e shkrimit të shqipes me germa latine.

Faleminderit Tatjana, sepse ju duke na sjellë përfytyrimin e gjyshit tuaj, po na bëni një udhëtim në historinë e vendit. Nuk është vetëm gjyshi juaj, ai është një atdhetar, është një bir i Shqipërisë, që duket që ka jetuar dhe ka frymuar në kohën e vet, në rrethin e patriotëve më të shquar shqiptarë. Dhe prandaj është ky rezultat veprash në breza, puna e të ndjerit Profesor Budës që jeton tashmë vërtetë me veprën e tij. Të tjera kujtime që keni nga familja apo nga babai juaj, ç’mund të na thoni në këto momente që po flasim?

-Gjyshi vërtetë ishte atdhedashës, dhe kishte një biznes të tijin që arriti t’i dërgonte fëmijët që të studionin jashtë. Im atë ka bërë vetëm dy klasë shkollë në Shqipëri. Ai shkoi, dhe unë kam foto nga jeta e tij fëmijërore. Ishte koha pas Luftës së Parë Botërore. Shqipëria ishte e rrënuar dhe ai në fillim i çoi për studim që fëmijë në Bari, në Leçe, dhe pastaj më tej në Austri. Madje, kujtoj një episod shumë të bukur se gjyshi ka qenë edhe deputet në Parlamentin e Zogut, në të parin parlament dhe kujtoj tani që kur ai kishte marrë me vete fëmijët për t’u nxjerrë vizat në Tiranë, në një restorant ku hanin drekën katër djemtë e tij që përgatiteshin për të marrë vizat për në Itali, takon dy deputet të tjerë në një tryezë dhe ata njëri që ishte Luigj Gurakuqi i thotë: “-Zoti Taqi të kujt janë këta djem, pse drekon me ta?” “Këta janë djemtë e mi”. “Të katër këta diva janë të tutë?!, -i thotë tjetri që ishte Fan Noli.

Dhe në këtë kuptim tradicionalisht, Budat e kanë çmuar arsimin dhe kulturën. Pra babai mbaroi katër vjet në Itali dhe duhej të merrte një diplomë maturie që të regjistrohej në Austri dhe gjyshi i çoi djemtë në Salcburg në familje që mund t’i mbanin, por jo të gjithë së bashku, por im at qëlloi në një familje të një profesori pa fëmijë dhe ai atje u edukua sikur të ishte fëmija i tyre. Pra dhurata e atij profesori për Aleksin ishte libreza e anëtarësisë në një bibliotekë dhe që atëherë dashuria e këtij njeriu për librin nuk kishte të sosur. Aleks Buda ka lexuar, ka shkruar por ka lexuar pa fund në të gjitha gjuhët. Mbaj mend në një kongres kur vajti jashtë, i thanë: “-Profesor Buda ju i dini të gjitha gjuhët me përjashtim të turqishtes dhe hungarishtes?!”

Na dhatë të kuptonim shumë, që përveç librave të çmuar që kemi prej profesor Aleks Budës, ne dimë që prej fëmijërisë prej zanafillës nuk kemi pasur një studiues që ka dalë nga një vend i rrënuar, por ai ka qenë i formuar tërësisht me një nivel europian. Dhe me të drejtë mund të mendojmë sot që ka qenë fat për shkencën shqiptare, fat për atë çfarë u bë ( natyrisht që u bë mirë, pavarësisht se ishim në komunizëm), në albanologji në gjuhësi në shkenca të tjera që pati një rigorozitet dhe një prurje shumë të mirë e një nivel shumë të lartë.  Çfarë keni gjëra të tjera të çmuara nga babai juaj, qoftë kujtime, qoftë relike apo libra?

-Të them një gjë, që edhe më ka prekur, por edhe më ka dhënë entuziazëm. Unë kam plotësuar amanetin e babait tim. Ju nuk  mund ta besoni se sa i dhënë ishte ai pas librave, dhe kur ardhur ai në Shqipëri nga Austria ai ka sjelle ndoshta dhjetëmijë volume, të cilat i solli me  arka, dhe që t’i shkarkonte nga vapori i duheshin kushedi sa mundime sepse nuk ishte e lehtë. Madje shpesh herë këto libra i kanë sjellë edhe telashe...

Çfarë ndodhi pikërisht me këto arka me libra?

-Sapo vjen, disa nga këto libra ishin me kapakë të kuq dhe ishin goxha. Seria e Dostojevskit ishte e tëra me kapakë të kuq dhe bëri si bujë, se në Elbasan një vend i vogël, merreshin vesh, sepse Aleksi ishte i lidhur edhe me Skënder Luarasin dhe këta që kishin qenë në Luftën e Spanjës dhe filluan të dyshojnë, që këta janë “libra të kuq”, “me siguri që ka sjellë libra të kuq nga Austria”. Dhe e mbajtën në arrest, derisa u sqarua që këta libra nuk ishin të kuq. Po kështu e dinin, se aq dinin librat i shihnin nga kopertina. 

Po këta libra pastaj u bënë edhe shkak për të shpëtuar shtëpinë. Një nga vëllezërit e babait, i vogli u lidh me lëvizjen çlirimtare dhe ishte aktiv. Ishin gjermanët dhe kishin në dorë gjithçka në Elbasan dhe merrnin vesh çdo lëvizje, dhe morën vesh që ky ishte bir i familjes Buda. Vjen oficeri nazist me dy ushtarë dhe me enën me benzinë, që kishte marrë urdhër të digjte shtëpinë, pasi ata të lëvizjes kishin bërë dy atentate, ku ishte përfshirë edhe xhaxhai i vogël. Papritur sheh rafte të tëra dhe të tëra ishin gjermanisht. Pyet “Kush është në këtë shtëpi?”. I thanë: “Është Aleks Buda, profesor në Liceun e Tiranës.”

Dhe habitet, i merr, i shikon që ishin libra të kulturës gjermane, që nga fillimi deri në fund dhe u thotë: “Kthehuni mbrapsht!” dhe kështu shtëpia shpëtoi pa u djegur.

Tashmë këta libra në kohët e  sotme janë antikuarë... Ku gjendet ajo që kanë qenë pasuria më e vyer e profesor Budës?

-Kanë qenë jeta e tij, kursimet e tij. I ati u dërgonte të ardhura mujore për shkollimin, se ua paguante shkollat vet dhe Aleksi çdo gjë e ka kursyer nga goja për të blerë këto libra. Dhe këto libra i ka blerë me shpirt. Dhe këto libra nga fundi i jetës së tij i la amanet që t’ia falnim Bibliotekës Kombëtare.  

Aleks Buda, vitin e parë menjëherë pas luftës, ishte drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Kishte libra të mrekullueshëm. Në kohën kur ishte revolucioni, me frymën që ‘gjithçka ka qenë e vjetër ta shkatërrojmë”, ai ka vajtur Shkodër që të mbledhë të koleksionet e shkodranëve, ka vajtur Elbasan, ka vajtur tek Bibliotekën e Lumo Skëndos në Tiranë, që u ruajt falë tij, sepse aty kishin hyrë partizanët dhe po bënin jetën e tyre, dhe Aleksi arriti t’i mblidhet pa cenuar. Dhe unë mendoj se në atë kohë ka bërë një punë të mirë, sepse edhe sot e kësaj dite janë në Bibliotekën Kombëtare emrat e atyre që i kanë pasur librat...

Dorëshkrime apo materiale të tjera që i pikasin kulturës kombëtare ka?

- Kam dorëshkrimet, të cilat unë mendoj që ti përgatis dhe t’ia dërgoj Arkivit të Shtetit, se mesa shoh unë, zëri i tij në Arkivin e Shtetit është bosh.  Unë do të përpiqem sa të jem, t’i sistemoj gjërat që të arrijmë t’i japim një vazhdimësi familjes dhe punës së Aleksit. Jam përpjekur në dy librat që kam shkruar të japë jo vetëm portretin e Aleksit si baba, po të jap Aleksin si veprimtar dhe si pasardhës në këtë traditë të kulturës dhe të arsimit shqip.

Epilog

Siç e pamë, Aleks Buda edhe pse është larguar nga jeta që në vitin 1993, përveç veprës së tij madhore ka lënë pas thesare të vyera të trashëgimisë së kombit, që presin të strehohen në Arkivën e Shtetit Shqiptar. 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?