Bashkeshortja e Aleks Nikes dhe dy vajzat e saj

Aleks Nika, dashuria e një gruaje dhe dy vajzave do t’ju friksojë

21 Janar, 12:47| Përditesimi: 21 Janar, 12:53

  • Share

Është mbresëlënëse të lexosh 32 faqet e një trupi gjykues të Gjykatës së Strasburgut dhe për herë të parë, fjali pas fjalie, të perceptosh përpjekjen e 8 anëtarëve të një gjykate , të dëshirojnë të vijnë në krye të një të vërtete. Të ndjesh logjikshëm renditjen e fakteve, gabimeve, mbulimeve, manipulimeve, deklarimeve të një qeverie si ajo shqiptare e 2011, e vendosur të punonte kundër të vërtetës dhe kundër jetës dhe të drejtës për qytetarët e saj.

Ta themi hapur: Në Shqipëri nuk jemi mësuar të lexojmë shtjellime kaq të qarta, të thjeshta dhe të kuptueshme. Jemi mësuar të lexojmë shtjellime gjykatësish që në 99 përqind të rasteve janë justifikime për të shpëtuar keqbërës të ndryshëm. Janë fjali që hedhin tym të zi mbi të vërtetën dhe kjo na ka lënduar.

Është mbresëlënëse të lexosh gjithashtu në krye dhe në fund të vendimit të Gjykatës së Strasburgut tre emra: Rajmonda Nika, ditëlindja, 1984 Lezhë, Amelia Nika datëlindja 2009 Lezhë dhe Mentila Nika, ditëlindja 2010 Lezhë.

Janë bashkëshortja dhe dy vajzat e Aleks Nikës, qytetarit protestues, vrasja e të cilit në 21 janar 2011 është dëshmia se nga kryeministria nuk u qëllua për të zmprapsur “sulmuesit” që i rrezikonin jetën Berishës, por u qëllua për të trembur, për të vrarë, që askush nga shqiptarët të mos guxonte më të rebelohej më! U qëllua për të treguar se forca dhe vendimi për jetën apo për vdekjen ndodhej në godinën që në të vërtetë duhej të ishte vetëm një godinë në shërbim të njerëzve.

Por ashtu si dhe me rastin e Zamira Durdës, nënës së Erisonit që u vra në Gërdec në moshën 7 vjeçare, edhe tre vajzat e familjes Nika nuk blihen, nuk shesin të afërmit e tyre me gjithë përpjekjet që janë bërë nga njerëz pranë fajtorëve të marrjes së këtyre jetëve.

Nuk është e lehtë, e thjeshtë për këto familje të ecin përpara mes tymnajës, kërcënimeve, manipulimeve të fajtorëve me më shumë pushtet në Shqipëri, për të kërkuar drejtësi dhe të vërtetën për vrasjet e të afërmëve.

Këto gra, këto vajza, janë duke bërë hapa nën vëzhgimin e manipulatorëve më të rrezikshëm që ka njohur ndonjëherë historia e Shqipërisë. Pushtetarët ndaj të cilëve janë vënë kundër, janë njerëz që minuan Drejtësinë e një vendi të tërë, krijuan si në një laborator shtriganësh: prokurorët e gjykatësit më të korruptuar në planet, jo për karakteristikat individuale të tyre, por sepse vepronin në një mjedis të krijuar posaçërisht për ta: me policë, hetues, specialistë IT të vendosur në pozicionet e tyre shtetërore vetëm me detyrimin për t’i shërbyer atyre që u jepnin të gjithë lirinë për të korruptuar dhe për t’u pasuruar personalisht.

Ky laborator i pështirë minuesish të drejtësisë dhe demokracisë nuk ka reshtur së ekzistuari. Edhe pse të ngujuar në kulla moderne në mes të Tiranës, vazhdojnë të gatuajnë porcione helmi më keq se një helm minjsh, ku përpiqen të helmosin Tiranën, Shqipërinë dhe sidomosa ata që i nxjerrin zbuluar me këtë laborator të tmerrshëm të tyre.

Pas Zamira Durdës, tre gra të tjera, me një guxim të admirueshëm po ecin të vendosura për të mësuar të drejtën për njeriun e dashur të tyre. Aleks Nika mund të mbetet një emër si gur i rëndësishëm në themelet e Drejtësisë së re të Shqipërisë dhe këtë gur po e vendos bashkëshortja dhe dy vajzat e tij, që ishin foshnja në 21 janar 2011.

a.m./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?