Portieri shqiptar, Alen Sherri, ka kryer të enjten një ndërhyrje kirurgjikale pas dëmtimit të rëndë të pësuar në ndeshjen e Kupës së Italisë ndaj Monzës. Gardiani shkodran u përplas me një shok skuadre, duke pësuar fraktura të shumta në fytyrë që e detyruan të linte fushën mes dhimbjeve dhe gjakosur.
Sipas njoftimit zyrtar të Frosinones, operacioni u krye me sukses nga një ekip specialistësh në Spitalin “San Camillo-Forlanini” në Romë. Gjatë ndërhyrjes u vendosën pllaka titaniumi për të stabilizuar zonën e dëmtuar të mollzës dhe kockën e hundës.
Sherri do të nisë së shpejti programin e rehabilitimit, ndërsa koha e rikuperimit është parashikuar të zgjasë rreth 60 ditë. Kështu, Frosinone do të duhet të bëjë pa shërbimet e portierit për të paktën dy muaj në vijim.
“Frosinone njofton se futbollisti Alen Sherri i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për të reduktuar një frakturë polifragmentare të kompleksit të djathtë orbital-maksilo-malar dhe kockave hundore, me rindërtim të dyshemesë orbitale dhe mbajtje me pajisje fiksimi prej titaniumi. Portieri do të fillojë programin e tij të rehabilitimit në ditët në vijim. Koha e rikuperimit pritet të jetë 60 ditë”, shkruhet në njoftimin e Frosinones.
Komente
