Këshilli i Lartë i Prokurorisë thirri nesër mbledhjen për të zgjedhur kreun e ri pas mbarimit të mandatit të Alfred Ballës.
Mbledhja është parashukuar të mbahet në orën 09:30 në sallën e mbledhjeve të Këshillit, në prezencë të Anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT.
Më 27 maj KLP konstatoi përfundimin e mandatit Alfred Ballës, i përjashtuar nga vettingu për 15 vite. Vendimi u mor me 9 vota pro dhe kundër vetëm të anëtares Nurihan Seitaj. Mbledhja e KLP-së u shoqërua me debate të forta.
Më 21 maj, KPA vendosi përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë, KPK, që e mbylli procesin e tij pa një vendim. Sipas vendimit të KPA, Balla s'ka të drejtë për t'u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.