‘Alfredo C’, mes bobinave të filmave, vëzhgon ç’ka ka xhiruar në një Moviola të vjetër...
Imazhi me të cilin përballet publiku mbrëmjen e së mërkurës në ekranin e madh të kinema Millenium është xhiruar në pellicula e të çon tek një prej historive të 27 mijë italianëve të mbetur në Shqipëri, pasi komunistët marin pushtetin.
Mijëra imazhe të tjera, bazuar në material arkivore e elementë fiction shkruar mbi të vërtetën e studiuar, ndërtojnë filmin dokumentar “Alfredo C’, që siç thotë regjisori e skenaristi Roland Sejko, ndihmojnë për të rikujtuar një pjesë të së shkuarës. Dokumentari, i prodhuar nga Instituti “Luce Cinecitta”, e i vlerësuar me ‘Nastro d’argento” në Bienalen e Veneciave, pas festivaleve në Itali, e Shkodrës, shënon premierën edhe në Tiranë.
Një histori e harruar, e operatorit italian, të cilin, dallga e luftës e përplas, nga propaganda fashiste, në atë të regjimit hoxhian. Nga parullat “Viva Duçe!”, në “Rroftë komandanti”, ku një tjetër parullë italian e Mussolinit që shfaqet në film duket se qëndron si emërues i përbashkët i të gjithë diktatorëve që ai pat xhiruar, përfshirë edhe Hitlerin: “Kinematografia është mjeti më i fuqishëm”.
Një dokumentar që dëshmon në 76 minuta përmes kujtesës së imazheve elementë të historisë, por edhe se si fshihej, apo se si deformohej ajo në emër të propagandës, duke zhdukur deri edhe jetët njerëzore...