Alarmi i Ali Ahmetit: Po rrezikohen arritjet historike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut! Letër Ramës, Begajt, Kurtit, Osmanit e liderëve botërorë

27 Tetor, 19:00| Përditesimi: 27 Tetor, 23:01

  • Share

Shkup- Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, Ali Ahmeti, u ka dërguar letër udhëheqësve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut.

Sipas BDI-së, letrat e dërguara nga Ahmeti adresojë tri vendime të fundit: shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndalimin e identifikimit etnik në institucionet shtetërore dhe formimin e një qeverie pa përfaqësim të drejtë etnik.

Ahmeti, sipas BDI-së, ka ngritur shqetësime se këto zhvillime, “rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në një shtet shumetnik”.


“Ahmeti thekson se tri vendime e fundit përbëjnë kërcënime serioze për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe të rajonit në tërësi. Ai u bën thirrje udhëheqësve ndërkombëtarë për veprim të përbashkët për mbrojtjen e arritjeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në njoftimin e BDI-së të publikuar më 27 tetor.

Në mesin e udhëheqësve që Ahmeti u ka dërguar letër janë presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor lidhur me fatin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili u miratua shtatë vjet më parë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hrisitjan Mickoski, të shtunën, tha se nuk kontestohet i gjithë ligji, por vetëm pjesa e gjyqësorit.

Çka është Ligji për përdorimin e gjuhëve?

Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut detyrohen të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20% e qytetarëve të vendit. Kjo përfshin gjuhën shqipe, e cila përmendet si gjuha e një pjese të konsiderueshme të popullatës dhe përkufizohet në nenin e parë të këtij ligji. Gjithashtu, ligji siguron përdorimin e gjuhëve të tjera të komuniteteve me përfaqësim më të vogël se 20%.

Ligji përcakton që elementë zyrtarë, si monedha, pullat postare, uniformat e policisë dhe zjarrfikësve, të përfshijnë gjithashtu shkrime në gjuhën që flitet nga së paku 20% e popullatës, një masë që përkrah identitetin gjuhësor të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike në vend.

Kushtetuesja shfuqizoi Balancuesin

Më 9 tetor, Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut po ashtu vendosi të shfuqizojë Balancuesin, një mekanizëm softuerik që rregullonte përfaqësimin “e drejtë dhe adekuat” të komuniteteve etnike në administratën publike.

Ky mekanizëm ishte krijuar për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2001 dhe siguronte që përqindja e punësimeve të përputhej me përbërjen etnike të popullsisë. Gjithashtu, shfuqizimi i Balancuesit ngre pikëpyetje mbi kushtetutshmërinë e dispozitave që kërkojnë mbajtjen e të dhënave mbi përkatësinë etnike gjatë punësimeve në institucionet shtetërore.

Sipas regjistrimit të popullsisë i vitit 2022, popullsia e Maqedonisë së Veriut numëron rreth 2 milionë banorë, nga të cilët 54.21% janë maqedonas dhe 29.52% shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë pjesëtarë të komuniteteve më të vogla.

Në përgjigje të shfuqizimit të Balancuesit, koalicioni shqiptar VLEN, që është pjesë e Qeverisë maqedonase, ka njoftuar se është në proces të hartimit të një ligji të ri për përfaqësim etnik.

Por, përkundër këtij pohimi të koalicionit VLEN, ministri i Administratës Publike, Goran Minçev ka deklaruar se “nuk është duke u përpiluar ligj për balancuesin ashtu siç pretendon koalicioni VLEN”.

“Ne edhe ashtu kishim marrëveshjes me VMRO-DPMNE përpara se të fillojë koalicioni se fillimisht duhet të merremi vesh për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe më pas, balancuesin”, ka thënë javë më parë, Arben Taravari, kryetar i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët, pjesë e koalicionit VLEN. /REL/

Ora 19:19
Ali Ahmeti u dërgon letra drejtuesve të lartë shqiptarë dhe ndërkombëtarë për mbrojtjen e Marrëveshjes së Ohrit, zbardhet letra e plotë për Ramën

Ali Ahmeti, kreu i BDI

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka dërguar letra drejtuar Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Edi Rama, Presidentes dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz, Presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Antony Blinken.

Në këto letra, Ahmeti shpreh shqetësimin e tij të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, që rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë dhe stabilitetit në shtetin shumë-etnik.

"Planet e trishta, edhe atë çuditërisht të paralajmëruara nga Qeveria e vendit, se Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë dispozitat kryesore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që bën gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare të barabartë sipas Amandamentit 5 të Kushtetutës, përbëjnë një goditje të rëndë mbi Marrëveshjen e Ohrit, barazinë, harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin në vend", i shkruan ai kryeministrit Edi Rama.

Më poshtë edhe letra e plotë, e dërguar kryeministrit Edi Rama:

“I nderuar Z. Edi Rama,

Kryeministër i Republikës së Shqipërisë,

Ju shkruaj sot me shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet historike të Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet themelore të barazisë dhe paqes në shtetin tonë shumëetnik, e veçanërisht për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Planet e trishta, edhe atë çuditërisht të paralajmëruara nga Qeveria e vendit, se Gjykata Kushtetuese pritet të shfuqizojë dispozitat kryesore të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, që bën gjuhën shqipe një gjuhë zyrtare të barabartë sipas Amandamentit 5 të Kushtetutës, përbëjnë një goditje të rëndë mbi Marrëveshjen e Ohrit, barazinë, harmoninë ndëretnike dhe stabilitetin në vend.

Për më tepër, vendimi i Gjykatës Kushtetuese  për të ndaluar identifikimin e përkatësisë etnike të qytetarëve në institucionet shtetërore shkel parimin e të drejtave kolektive të komuniteteve etnike, dhe për rrjedhojë anulon edhe instrumentet kryesore të balancuesit dhe të mekanizmit të Badenterit, të cilët ishin në thelb të Marrëveshjes së Ohrit. Ky mekanizëm është krijuar për të garantuar të drejtat kolektive të komuniteteve etnike sipas realitetit demografik, duke siguruar një mbrojtje themelore ndaj çdo mbizotërimi. Gjykata kushtetuese duke eliminuar deklarimin e përkatësisë etnike shkel vetë Kushtetutën, ku si vlerë themelore të saj ka përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, dhe se na kthen në gjendjen para arritjes së Marreveshjes Paqësore të Ohrit.

Së fundmi, pas zgjedhjeve të fundit, parimi themelor i Marrëveshjes së Ohrit, që kërkon formimin e një shumice politike bazuar në përfaqësimin e drejtë të komuniteteve etnike, është shkelur rëndë. Ky veprim nuk ka të bëjë vetëm me BDI-në, por prek parimin e përfaqësimit të drejtë, i garantuar nga Amandamenti 6 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, dhe qëndron si një mekanizëm mbrojtës për të parandaluar mbizotërimin e shumicës ndaj joshumicës.

Këto tre goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë një kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukë elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti.

Në këtë moment kritik, ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve. Angazhimi juaj për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet relevante për këtë krizë kushtetuese dhe politike është i domosdoshëm.

Ju falënderoj për përkushtimin tuaj të palodhshëm ndaj çështjeve shqiptare dhe stabilitetit të rajonit.

Me nderime të larta dhe respekt,

Ali Ahmeti

Kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim”.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Latif: 28/10/2024 11:17

    Kur tradhtove ata djem ne Kumanove, çfare te premtuan mor bastard?

    Përgjigju
  • Lui: 28/10/2024 11:12

    Këtë problem ta zgjidh vetëm shoku Albin Kurti. Ai e solli në pushtet Mickoskin duke bërë aleancë Taravari me Mickon.. Një fishkëllimë të tërhiqet Taravari dhe të bjerë qeveria. Të vlejë si mësim kjo që ndodhi duke ju përçarë Albini. Pastaj bashkohuni në zgjedhjet e ardhshme.

    Përgjigju
  • Emigranti: 28/10/2024 10:47

    Filluan trimat e FB te ofendojn ata qe luftuan me pushk per me shum liri dhe te drejta Hajde trima te VV dhe FB mbroni lirin we au dhan keta qe ju ofendoni Apo doni me shum serbin dhe sllavo maqedonsit sesa nje luftetat te liris

    Përgjigju
  • GOLI: 28/10/2024 08:56

    ORE ÇFAR FLET KY!....NE KOTECIN VERIUT GJUHA SHQIPE S'ESHT ZYRTARE-ZYRTARE ESHTE GJUHA E 20% ...NE RAST TE TILLE ,KUSH DO QE TE JETE 20% DO TE KETE TE DREJT TE PERDOR GJUHEN E VET NE HAPSIRA TE KUFIZUARA.

    Përgjigju
  • Dakord: 28/10/2024 07:28

    Puna është se gjykata kushtetuese nuk e ka marrë akoma vendimin dhe ndërkombëtarët nuk ushtrojnë presion mbi gjykatat. Rruga e dretë është prit vendimin dhe nëse ke kundërshtime çoje në gjykatën evropiane për të drejtat e njeriut. Ska rrugë tjetër.

    Përgjigju
  • AltinTop: 27/10/2024 23:15

    E ke te kryer, ta zgjidh lideri yne global.

    Përgjigju
  • POLICI: 27/10/2024 20:21

    paske gjete ku me kerku ndihme, te rama dhe begaj hahahaa

    Përgjigju
    • Hjj: 28/10/2024 03:03

      Le pastaj vjosa osmani me albin kurtin ahahah

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?