Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha, gjatë një përplasjeje në foltoren e Parlamentit

Politikë

Alibeaj i përgjigjet Berishës: Hakmarrje pse votova për heqjen e imunitetit të tij te Mandatet! Të merret me hallet që ka me Drejtësinë, po mban peng PD

13 Janar, 13:18| Përditesimi: 13 Janar, 13:32

  • Share

Deputeti Enkelejd Alibeaj i është përgjigjur menjëherë kreut të PD-së, Sali Berisha, për deklaratat e ashpra që bëri në konferencën e sotme për shtyp (13 Janar), për bashkëjetesën me gjyqtaren e Kushtetueses, Marsida Xhaferrllari.

Themeluesi i ‘Djathtas 1912” tha se kjo ishte hakmarrje primitive e ish-kryeministrit nën akuzë dhe i pandehur prej SPAK për aferën “Partizani”, pikërisht sepse ai kishte votuar heqjen e imunitetit të Berishës te Komisioni i Mandateve.

Gjithashtu i bën thirrje kreut të selisë blu që të “merret me hallet e tij dhe të familjes që ka me Drejtësinë” dhe ta lërë sulmin për hallet e të tjerëve.

PD ka depozituar një kallëzim në SPAK për rastin, ku akuzon gjyqtaren se nuk ka deklaruar bashkëjetesën dhe ka shkelur ligjin.

Deklarata e Alibeajt në Facebook:

"Sali Berishës nuk i del inati për faktin që në Komisionin parlamentar të Mandateve votova për heqjen e imunitetit ndaj tij. Për inatin nuk e ndihmoj dot, madje as për hakmarrjen primitive që ai përdor rëndom me të gjithë ata që i dalin kundër. Hakmarrje që nuk kursen as familjen e atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Kjo nuk është e re në sjelljen politike të Sali Berishës. Vetëm se hallet e tij dhe të familjes së tij me drejtësinë nuk mund të jenë hallet e çdo shqiptari. E si të tilla, nuk mund të jenë as hallet e mia dhe të familjes time. Kështu që e ftoj të mbledhë veten e të merret me hallet e veta.

Thënë ndryshe, çdo shpifje nga goja e tij është po aq pa vlerë sa të gjithë ato që ka thënë këto 30 e kusur vjet për çdo kundërshtar politik. Do të votoja në çdo rast sërish për heqjen e imunitetit të tij dhe të gjithë atyre që kanë probleme me drejtësinë. Këtë e kam qendrim parimor të palëkundur, pa patur ndonjë inat me të apo ndokënd tjetër. Hallet që kanë familjarisht me SPAK nuk ja zgjidh dot. Komunizmin vërtet e kemi larguar më shumë se 3 dekada më parë, por mentalitetin komunist e kemi ende prezent në politikë. E për fat të keq, duke mbajtur peng demokratët dhe të djathtën në Shqipëri".

Postimi i Enkelejd Alibeajt

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?