Alibeaj pas takimit me Glover: E informova për fushatën zgjedhore, shkeljet e qeverisë dhe situatën në PD! Berisha na ka zaptuar selinë

19 Prill 2023, 12:41| Përditesimi: 19 Prill 2023, 13:04

  • Share

1681900121_Screenshot4.jpg

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka folur për mediat pas takimit me shefen e OSBE-ODHIR. Për gazetarët, Alibeaj tha se ka njoftuar Glover për mënyrën se si është zhvilluar fushata deri më tani, dhe për shkeljet që ka bërë qeveria, sipas tij duke dhënë tendera apo duke vënë administratën në funksion të zgjedhjeve. Alibeaj thotë se e ka njoftuar Glover edhe se institucionet nuk kanë marrë masa për përjashtimin nga gara të kandidatëve me rekorde kriminale.

Alibeaj tha se e ka njoftuar Glover edhe për situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike dhe pozicionin që ata kanë mbajtur kundrejt grupit të Sali Berishës.

“I bëra të qartë, për t’i dhënë ndihmë dhe informacion të plotë për mënyrën se si deri tani fushata është zhvilluar, i bëra të qartë të gjitha shkeljet ligjore që janë bërë deri tani nga qeveria, buxhetin e shtetit të përdorur, tenderat e hapur, aktivistin që ka në funksion të plotë, administratën që e kanë vënë në funksion të zgjedhjeve. I bëra të qartë të shkeljet ligjore të bëra nga KQZ që nga momenti i mosregjistrimit  të PD-së, nga momenti i zvarritjes në KQZ, në KAS, nga që nuk ka marrë masat e duhura për të përjashtuar ata kandidatë që rezultojnë me rekorde kriminale. I bëra gjithçka atë qartë lidhur me procesin zgjedhor, dhe situatën brenda PD.

Problemin e dimë të gjithë, fakti që ne qëndrojmë në seli të marrë me qira dhe se selia jonë është e zaptuar në mënyrë të paligjshme, ajo frekuentohet nga njerëz që nuk përfaqësojnë PD. I bëra të qartë çështjen e mosfigurimit të kryetarëve që garojnë, besoj e kuptoni për çfarë bëhet të qartë. Saktësova edhe se kush janë subjektet zgjedhore dhe keqpërdorimin që bëhet.

I bëra të qartë situatën brenda PD, arsyen përse ka ndodhur, pozicionin që kemi mbajtur, përdorimin më mënyrë të padrejtë dhe të mediave dhe financimit të partisë. PD gjatë gjithë kësaj periudhë është nisur të bëjë një fushatë për qytetarët kundër regjimit, është e papranueshme që kandidatët tanë të ndodhen në sulme nga qeveria dhe ajo pjesë që pretendonte dikur që është PD.

Ka një vit e ca që kjo parti është në një person dhe gjuhë linçimi, baltosje. Njerëzit tanë nuk e kanë imagjinuar ndonjëherë të ndodhen në presion nga një palë tjetër.  Demokratë deri dje kanë qenë bashkë kundër qeverisë, sot ndodhen edhe nën presion ndaj ish-kolegëve, të shitur, të blerë, ju konsideroni se kjo nuk është atmosferë mbytëse”, tha Alibeaj.

Alibeaj tha se qeveria ka dhënë tendera dhe ka rritur pagat për efekt elektoral.

437 mln euro tendera është hapur nga kjo qeveri vetëm në këto dy muaj, 3100 punësime janë bërë, rritja e pensioneve, rritja e pagës minimale, 1900 mijë njerëz në administratën publike për shkak të rritjes së habitshme të pagës janë të injektuar në vullnetin e tyre dhe kanë deformuar vullnetin e tyre për zgjedhje.


Lajmi kryesor:

Alibeaj takim me shefen OSBE-ODIHR: E informova për shkeljet e qeverisë dhe situatën brenda partisë! Berisha na ka zaptuar zyrat, s’përfaqëson PD


SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?