Alibeaj për ligjin e lustracionit: Kemi marrë si model rastin e vettingut të magjistratëve

9 Mars 2023, 11:51| Përditesimi: 9 Mars 2023, 13:10

  • Share

Duke marrë si referencë vettingun, Partia Demokratike propozoi sot që të gjithë ata që në kohën e komunizmit kanë kryer aktivitet me pasoja si pjesë e sigurimit të Shtetit, të përjashtohen për 15 vite nga e drejta për të qenë pjesë e institucioneve publike. Në një tryezë diskutimi për projektligjin e Lustracionit, Enkelejd Alibeaj, theksoi nevojën që të përcaktohet shkalla e fajit të ish-bashkëpunëtorëve dhe të kenë mundësi të mbrohen me fakte të reja.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se ligji i lustracionit ka marrë si model vetingun e magjistratëve, për të pezulluar për 15 vite nga funksionet publike, të gjithë ata që kanë qenë pjesë e ish-Sigurimit të Shtetit.

“Është një nga direktivat e Strasburgut. Ne kemi vendosur që duhet të ketë një pezullim për 15 vite që të mos jenë të angazhuar apo militues në shtetin shqiptar ata që kanë qenë punonjës të ish-sigurimit. Kemi marrë si model atë se çfarë është afati i ndalimit në rastin e vettingut të magjistratëve. Këto janë risitë e këtij ligji. Janë të gjithë argumentet që duhen plotësuar.

Duhet të jetë një projektligj që do të pranohet nga gjithë shoqëria shqiptare. Ky ligj e ka brenda edhe skepticizmin. Mendohet mos është ky ligj me një përdorim politik të momentit dhe pastaj harrohet si gjithë të tjerët? Ne jemi sy e veshë për të pasuruar dhe pranuar çdo propozim që të jetë i arsyeshëm dhe që ligji të jetë funksional”- tha Alibeaj.

Çfarë parashikojnë ndryshimet ligjore në projektligj:
Nisma ligjore e PD së Alibeajt parashikon ndalimin e simboleve të regjimit totalitar komunist, i veprave intelektuale për propagandë, i materialeve audio-vizuale për propagandë dhe i propagandës në veprimtaritë politike. Me simbole të regjimit komunist, nënkuptohet ‘fshirja’ e yllit të regjimit komunist, yllit të kuq shqiptar me pesë cepa, shallit të kuq me tre cepa, të flamurit me akronimet e PKSH dhe PPSH, të stemës “pushkë, kazmë dhe libër”, të stemës “drapër dhe çekan”, himni i Internacionales Komuniste, shenja përkujtimore dhe shënime të dedikuara për personat kyç në PPSH. Gjithashtu, parashikohet heqja e monumenteve, lapidareve, parullave, citateve të personave kyç në PPSH, heqjen e emrave të qyteteve, rretheve, vendndodhjeve, rrugëve, shesheve, urave, emra ndërmarrjesh, institucionesh ose organizatash që përmbajnë emrat ose pseudonimet e personave kyç në PPSH dhe të punonjësve të organeve të diktaturës komuniste apo emra që tregojnë aktivitete dhe ngjarje të lidhura me veprimtarinë e PPSH, duke përfshirë edhe ditë përkujtimoresh të festuara nga kjo parti.

Me ndalimin e veprave intelektuale për propagandë nënkuptohet ndalimin e veprave letrare, publicistike, leksionet, predikimet, fjalimet, çdo krijim tjetër me gojë, krijimet dramatike, kompozimet muzikore, krijimet koreografike, krijimet audio-vizuale, krijimet kinematografike dhe krijimet e tjera audio-vizuale të krijuara në mënyra të ngjashme me ato kinematografike, veprat radiofonike, krijimet e artit pamor në fushën e pikturës, skulpturës dhe grafikës, artet dekorative monumentale, krijimet arkitekturore që përfshijnë vizatimet, planet dhe skicat. Parashikohet zhdukja e fotografive, listat, hartat, krijimet hartografike, krijimet shkencore, monografitë, studimet, leksionet universitare, librat shkollorë etj.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?