Deputeti i PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar gjatë mbledhjes së Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, se amendamentet e propozuara për Kodin Rrugor, do t’i shërbenin qytetarëve dhe se nuk do të sillnin kosto shtesë financiare.
Alibeaj tha se duhej të hiqej masa ndëshkuese për pezullimin e lejes së drejtimit për personat të cilët automjetin e përdornin për të shkuar në punë.
"Ne pretendojmë se masa e pezullimit të lejes së drejtimit, është disproporcionale sa kohë që e kanë automjetin si mjet pune. Të mbahet sanksioni me gjobë me dyfishin por të hiqet pezullimi i lejes sepse për ata që e përdorin për punë, praktikisht u hiqet e drejta e punësimit.”- u shpreh Alibeaj.
Ndërsa shtoi se brenda 15 amendamenteve të dorëzuara, ishte edhe propozimi për heqjen e postblloqeve policore në rrugët e vendit. Sipas Alibeajt, ngritja e këtyre postblloqeve përveç frymës së një shteti policor, kishte në përmbajtje edhe praktika korruptive.
“Amendamenti i fundit, është një amendament për të cilin synojmë një administrim më racional të kontrollit që policia e shtetit kryen në territor. Jemi të gjithë përdorues të rrugëve, shohim herë pas here që në mënyrë të papritur postblloqet mbijnë kudo. Është krijuar mendimi në publikun shqiptar që nevoja e policisë për ndjekjen e të dyshuarve për krime, kthehet në një barrë për drejtuesit e automjeteve. Ngritja e këtyre postblloqeve nga policia e shtetit, është një praktikë që në shumë raste ka sensibilitete të natyrës korruptive. Në një shoqëri duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë që shteti të mos shndërrohet në policor”-tha Alibeaj.
Propozimi i bërë për ndryshim në Kodin Rrugor përmban detyrimin që ngritja e postblloqeve policore të bëhej vetëm me urdhër të arsyetuar nga drejtori i policisë rrugore.
“Për këtë kemi propozuar që ngritja e postblloqeve të bëhet me një urdhër të arsyetuar të drejtorit të policisë rrugore dhe së dyti që mos të ngrihen në mënyrë abuzive. Publiku shqiptar duhet të konsiderohet si aleat në respektimin e rregullit dhe jo të provokohet dhe të vendosë një marrëdhënie pothuajse armiqësore me policinë e shtetit. Në total këtu janë 15 amendamente dhe kemi parashikuar se nuk kanë asnjë kosto financiare”-shtoi kreu i grupit parlamentar të PD.
Më herët, Enkelejd Alibeaj është shprehur se edhe projektligji i prezantuar nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla për ndryshime në Kodin Rrugor, u përgjigjej nevojave të qytetarëve dhe shtoi se do të ishte dakord me bashkimin e të dy nismave ligjore.