Vaksina e fruthit shkakton autizëm? Mjeku Alimehmeti del garant: Shkenca e rrëzoi si tezë! Është virusi më ngjitës që njohim, të lodh më tepër se gripi

30 Janar, 19:02| Përditesimi: 30 Janar, 22:55

  • Share

Fruthi është kthyer në shqetësim në rang vendi. Në “Frontline-Interview" në Report TV epidemiologu Ilir Alimehmeti ka deklaruar se fruthi quhet sëmundje riemergjente dhe po rishfaqet sepse është ulur niveli i vaksinimit.

Ndërkohë që numrat e të infektuarve vijojnë të rriten, mjeku Alimehmeti ka treguar disa simptoma ndërsa ka bërë thirrje që të gjithë t’i kushtojnë rëndësi vaksinimit.

“Fillimisht fillon me temperaturën, njollat e para, i japin emrat sëmundjes. Shumica e rasteve kalojnë pa ndërlikime. Fruthi  është më i vështirë, të lodh më shumë se gripi për ta kaluar. Është virusi më ngjitës që njohim. Fruthi është virusi më transmetues që njohim, nuk ka më transmetues se ai. E vetmja mënyrë për ta mbajtur nën kontroll është vaksinimi. Quhet sëmundje riemergjente, po rishfaqet, jo vetëm te ne. Shfaqet sepse po bie vaksinimi. Nëse një person është në shtëpi dhe është infektuar do izolohen dhe anëtarët e tjerë të familjes”, tha Alimehmeti në një intervistë me gazetaren Marsela Karapanço.

Për sa i përket njerëzve që mendojnë se vaksinat kundër fruthit shkaktojnë autizëm epidemiologu Alimehmeti, ka dalë garant duke thënë se shkenca e ka rrëzuar këtë tezë. Ai u shpreh se arsyeja pse autizmi është në rritje, ka të bëjë me ndotjen ambientale dhe jo me vaksinat. Sipas tij, nëse kjo tezë do të ishte e vërtetë, rënia e vaksinave do të ishte e barabartë me uljen e autizmit, por që në fakt ka ndodhur e kundërta. Masdje mori shembull brezin e vjetër, i cili e kishte të detyrueshëm që të vaksinohej në shkolla për fruthin, ndërkohë numri i të prekurve me spektin autik ishte më i ulët.

"Për fruthin nuk kam rezerva për vaksinimin siç kam pasur në rastin e COVID që dhe e kam thënë. Është një vaksinë qe e njohim prej dekadash. Ndodhi një lidhje me shfaqjen e sëmundjes së spektrit autik. Është një artikull me 12 vetë që ndezi një sinjal të kuq. Ne ngremë pyetje dhe shkojmë gjejmë prova. U bënë studime për një çerek shekulli dhe kemi parë që s’ka asnjë lidhje. Vaksina e fruthit është duke rënë. Rastet e autizimit janë shtuar. Nëse do ishte ky shkaku atëherë duhet të binin dhe ato. Brezi jonë jemi vaksinuar gati të gjithë por në brezin tonë sa ka qenë. Sot që flasim ka vaksinim më të madh në zona rurale sesa në ato urbane. Ku janë rastet më të shumta?", shtoi më tej mjeku në Frontline Interview.

Ora 19:54
Mjeku Alimehmeti: Këta janë personat më të rrezikuar nga Fruthi

 

Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti në “Frontline- Interview" në Report Tv ka treguar se kush janë personat më të rrezikuar nga fruthi.

"Më të rrezikuarit janë të paimunizuarit. Konkretisht fëmijë që nuk janë vaksinuar, njerëz ku vaksina nuk ka efekt ose te persona me probleme të sistemit imunitar", tha ai.

Ora 19:23
‘Gripi i barazuar me COVID’, këshilla nga mjeku Alimehmeti: Ka intensitet të lartë, antibiotikun mendojeni të fundit! Shkalla e vdekjeve e ulët por jo zero

 

Këtë vit gripi ka pasur intensitet të lartë. Kështu deklaroi mjeku Ilir Alimehmeti në “Frontline- Interview" në Report tv në një intervistë me gazetaren Marsela Karapanço.

“Ka pasur intensitet më të lartë gripi këtë vit. Jemi në rënie për vitin”.

Gripi dhe COVID-i sipas mjekut janë barazuar.

“Fakti që njerëzit s’po dallojnë më simptomat a është grip apo COVID do të thotë se kanë filluar të barazohen. Covidi ka një preferencë për dimrin por nuk është strikt. Sivjet kemi dhe fruthin”, shtoi epidemiologu në Frontline Interview.

Alimehmeti shtoi se niveli i vdekjeve për shkak të gripit është i ulët megjithatë theksoi se nuk është zero.

“Nuk bën gripi ndonjë gjë të çuditshme. Mortaliteti është i ulët, POR  ekziston aty është. Është e rëndësishme që ti themi gjërat siç janë. Sezonin e kaluar SHBA ka raportuar 20 mijë humbje jete nga gripi. Po të shikoni raportin e INSTAT mbi shkaqet e humbjes së jetës në 2022 23% e humbjeve të jetës janë për shkaqe dhe simptoma të papërcaktuara  mirë. 1 në 5 humbje jete ne nuk i dimë arsyet.  Shkalla e mortalitetit është e ulët por nuk është zero. Është një sëmundje që te njerëz me imunitet të dobët mund të shkaktojë probleme.”

Që ta përballoni sa më lehtë gripin dhe fruthin mjeku dha disa këshilla.

"Antibiotiku është i fundit kur sëmuresh. Në viruse s’ka asnjëlloj roli. Gjëja e duhur në momentin e duhur. Gripi nis përnjëherë. Mirë sot je direkt me 39-40, zgjat 2 ose tre ditë pjesa më e vështirë dhe fillon rënia. Paracetamol, Ibuprofen sipas nevojës. Pas ditës së tretë e shohim një përmirësim. Mund të zgjasë dhe më shumë 2-3-4 javë. Nëse nuk shohim përmirësim, shohim acarim të situatës, atëherë nuk do shkosh përsëri te antibiotiku por do të shkosh te mjeku. Ai do ta vendosë nëse është e nevojshme. Ne hyjmë te ajo popullatë që antibiotikë merr shumë para kohe. Mjeku më i afërt jo direkt qendra urgjenca e qendrës spitalor".

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?