Edmond Spaho nuk do të jetë në Kuvend në shtator pasi 3 mijë votat që mori nuk i garantuan fitore më 11 maj. Pavarësisht kësaj, ai është përfshirë në një debat publik me Ilir Alimehmetin, i cili kërkon riformatim dhe hapje të Partisë Demokratike.
Deputeti në ikje akuzon strukturat drejtuese organizative në PD, si përgjegjëse për gjendjen e degëve të partisë, që sipas tij, dikur udhëhiqeshin nga njerëz me universitet e sot kanë ngelur ata me arsim fillor.
Edhe pse Spaho nuk përmend emra, duket se shënjestër e akuzave është Flamur Noka, sekretari i përgjithshëm i PD, që është përgjegjës për organizimin e partisë.
"Gjithçka në degë është vullnetare dhe pa financim, sikurse nuk ka ndodhur kurrë ndonjëherë në historinë e kësaj partie, madje as në vitet më të vështira të saj. Nuk mund të ketë organizim kur në krye të punëve vendos mjeshtrin e çorganizimit. Ky quhet çorganizim i organizuar", shkruan Spaho.
Edmond Spaho thotë se problem nuk është hapja e partisë, porse duhet të garantohet një garë e ndershme brenda saj.
"Nuk kuptoj këtë hapjen. PD ka që në vitin 1997 që është shqyer duke u hapur. Kaq shumë jemi hapur prej vitesh sa na dhembin këmbët. PD nuk ka nevojë as për hapje e as për mbyllje, refren të cilin e dëgjojmë çdo katër vjet kur humbim zgjedhjet. Ilir, PD ka nevojë vetëm për një gjë, për garë të ndershme zgjedhore brenda saj, të pa manipuluar dhe të pa paracaktuar", vijon Spaho.
Vetëm pas kësaj thotë deputeti në ikje, njerëzit mund të afrohen në PD dhe PD-ja mund të fitojë ndaj Edi Ramës.
Reagimi i plotë i Spahos:
I dashur Ilir! Nuk e kuptoj këtë termin riformatim. Çfarë do të thotë? Duket si tjetërsim, apo modernizim përtej asaj që mund të bëjmë. Njerëzve të thjeshtë u krijohet përshtypja sikur kush e di se çfarë do të ndodhë. Do shpikim rrotën.
Sipas meje, PD ka nevojë thjesht të organizohet, sepse prej rreth 10 vitesh vetëm është ç’organizuar. Sot në degë nuk kemi struktura, nuk kemi drejtues dhe kemi pak anëtarë. Ngopemi me lugë bosh.
Është për të ardhur keq, por nëse në vitin 1992 çdo kryetar seksioni ishte me shkollë të lartë, sot një pjesë nuk i kemi as me arsim 8-vjeçar. Me këta përpiqemi t’i bindim qytetarët se jemi alternativë dhe duhet të na votojnë ne.
Gjithçka në degë është vullnetare dhe pa financim, sikurse nuk ka ndodhur kurrë më parë në historinë e kësaj partie, madje as në vitet më të vështira të saj. Nuk mund të ketë organizim kur në krye të punëve vendos mjeshtrin e ç’organizimit. Ky quhet ç’organizim i organizuar.
Së dyti, nuk kuptoj këtë hapjen. PD ka që nga viti 1997 që është shqyer duke u hapur. Kaq shumë jemi hapur prej vitesh sa na dhembin këmbët. PD nuk ka nevojë as për hapje e as për mbyllje, refren të cilin e dëgjojmë çdo katër vjet kur humbim zgjedhjet. Ilir, PD ka nevojë vetëm për një gjë: për garë të ndershme zgjedhore brenda saj, të pa manipuluar dhe të pa paracaktuar. Kur të arrihet kjo, njerëzit do të afrohen në PD dhe ajo do të bëhet e aftë të konkurrojë PS-në dhe të fitojë ndaj Edi Ramës.
Postimi i Spahos
Komente

O Gērdalla Spaho tani tē erdhi ty zēri o Memel. Mbasi ngele pa karike fillove ulurite burr pis.
Përgjigju