Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti, në emisionin 'Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv, deklaroi se rritja e rasteve të reja me koronavirus nuk po ndodh vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën për shkak të variantit Omicron.
Alimehmeti theksoi se shifrat e rëndësishme janë shtrimet në spitale. Sipas tij, shifrat aktuale janë shumë larg atyre rekord që janë regjistruar më herët, duke ju referuar shkurtit të vitit 2021 me 600 të shtruar në spitale.
“Kemi pasur shumë të shtruar në spitalet COVID. Shifra që duhet t’i shohim në kompleks, por cilët janë të shtruar, të vaksinuar apo të pavaksinuar. Sa viktima kemi.”-tha Alimehmeti.
Mjeku Ilir Alimehmeti theksoi se Omicron transmetohet shumë shpejt dhe asnjë shtet nuk i bën dot ballë përhapjes së këtij virusi.
“Anglia, nuk mori asnjë masë. Skocia dhe Uellsi shtrënguan masat. Shtete të tjera europiane, janë në rekorde pavarësisht masave që kanë marrë. Të mos harxhojmë energji në gjëra që nuk i bëjmë dot. Nuk e ndalim dot, por mund të evitojmë format e rënda.”-tha Alimehmeti.
I pyetur a identifikohet varianti Omicron me testin e shpejtë, theksoi se testi i shpejtë ka një sensitivitet më të ulët se PCR.
“Ka një dritare kohore kur bëhet testi i shpejtë, Omicron është më i shpejtë, gjysma e kohës në krahasim me Deltën.”-tha Alimehmeti.
Për masat anti-COVID që nuk u ndryshuan dje nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, tha se kishte vend për t’i liruar, por jo për t’i shtrënguar ato.
“Ora policore nuk bën ndonjë sens për të lëvizur nëse aktivitetet janë të mbyllura. Të shmangen grumbullimet e mëdha.”-deklaroi mjeku Alimehmeti.
Në një komunikim të drejtpërdrejtë nga Gjermania, mjekja Aurora Dollenberg u shpreh se shifrat po rriten sa i përket rasteve të reja. Në Gjermani, mjekja theksoi se rritja nisi në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
“Dalluam rrezikun e Omicron, pasi ishte varianti me mutacionet më të larta, 70 mutacione. Alarmi i dhënë dhe nga virologët bëri që Gjermania të rreptësonte masat anti-COVID.”-tha mjekja.
Sa i përket vaksinimit, Dollenberg theksoi se deri në fund të vitit të kaluar e kishin synim vaksinimin 80 për qind të popullatës, ndërsa shtoi se po mendohet që të bëhet me detyrim.
“Ka disa argumente. Parlamenti nuk ka marrë një vendim përfundimtar deri tani. Virologët gëzohen që Omicron ka infektueshmëri të lartë, por vdekje të ulët. Sipas tyre mund t’i japë fund pandemisë pa pasur viktima. Omicron edhe rrezik, por edhe shpresë, mbase po ambientohemi me virusin.”-tha mjekja.
Edhe pse thonë se jemi në pikun e infektimeve, Komiteti Teknik i Ekspertëve sot nuk i shtrëngoi masat anti-Covid në Shqipëri. Autoritetet shëndetësore thanë se tani kemi numrin më të lartë të fëmijëve të prekur me Covid, ndërsa janë vaksinuar me 3 doza 7.7% e popullsisë dhe me dy doza 47.3 % nga grupet e rrezikuara.